Futboll

Bayerni nuk gabon pavarësisht telasheve në mbrojtje

bayern

Pavarësisht se kishte telashe në mbrojtje me lëndimet e Alphonso Daviesit dhe Dayot Upamecanos, Bayern Munichu nuk ka lejuar befasi.

Bavarezët të shtunën gjatë ditës fituan tjetër ndeshje në elitën e futbollit gjerman dhe i janë afruar edhe më shumë titullit të kampionit.

Bayerni e mposhti St. Paulin me rezultatin 3:2 në ndeshjen e xhiros së 27-të të Bundesligës që u zhvillua në “Allianz Arena”.

Harry Kane e shënoi golin e parë në ndeshje në minutën e 17-të. Për kapitenin 31-vjeçar të Anglisë ishte goli i 33-të në edicionin aktual, në 38 paraqitje në të gjitha garat. Ai i ka edhe 11 asistime. Kane tani ka shënuar të paktën një gol ndaj 19 skuadrave me të cilat është ballafaquar në Bundesligë. Për Bayernin në total i ka 58 gola në 57 ndeshje të ligës.

Vetëm dhjetë minuta më vonë, mysafirët e barazuan rezultatin me golin e shënuar nga tuniziani Elias Saad.

Por në pjesën e dytë, Bayerni i Vincent Kompanys e rriti ritmin e lojës dhe i shënoi dy gola tjerë me Leroy Sanen. Sulmuesi i krahut realizoi në minutën e 53-të dhe të 71-të.

Mysafirët në minutën e tretë të kohës shtesë e realizuan vetëm edhe një gol me mbrojtësin Lars Ritzka. 

Bayerni i pari në tabelë ka 65 pikë, gjashtë më shumë se Bayer Leverkuseni.

St. Pauli është në pozitën e 15-të me 25 pikë.