Mbrojtja e Bayern Munichut është goditur me lëndime para ndeshjes me St. Paulin që zhvillohet të shtunën nga ora 15:30, e që i takon xhiros së 27-të të Bundesligës.
Bavarezët nuk mund të llogarisin në shërbimet e Alphonso Daviesit dhe Dayot Upamecanos, që u lënduan me përfaqësueset e tyre. Bayerni, që luan ndaj Interit në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, duhet të fitojë të shtunën për t’iu afruar titullit në Gjermani.
Bayerni është i pari në tabelë me 62 pikë, ndërsa St. Pauli, që po lufton për mbetje në elitë, ka 25 pikë në vendin e 15-të.
Ekipi i drejtuar nga Vincent Kompany ka dy ndeshje pa fitore në elitën gjermane. Në xhiron e kaluar, para pushimit për shkak të ndeshjeve të përfaqësueseve, barazoi në udhëtim me Union Berlinin 1:1, derisa më parë u mposht në shtëpi 3:2 nga Bochumi.
Befasia e edicionit aktual, Mainzi, do të udhëtojë te Borussia Dortmundi të dielën, në ndeshjen që luhet nga ora 17:30 dhe e mbyll xhiron në Bundesligë të Gjermanisë.
Dortmundi ka 35 pikë në vendin e 11-të, ndërsa Mainzi është i treti me 45 pikë, aq sa ka edhe Eintracht Frankfurti në vendin e katërt.
“Verdhezinjtë” në çerekfinale të Ligës së Kampionëve luajnë kundër Barcelonës.