Plejofi i fazës nokaut të Ligës së Kampionëve vazhdon të mërkurën mbrëma me katër ndeshje të tjera. Tetë skuadra, duke përfshirë Bayernin e Milanin, synojnë të bëjnë hapin e rëndësishëm drejt një të tetës së finales.
Gjiganti gjerman i futbollit, Bayern Munich luan në Skoci ndaj Celticut, nga ora 21:00. Bayerni llogaritet favorit, por sfida nuk pritet të jetë e lehtë për gjermanët.
Në fazën e ligës, bavarezët përfunduan në pozitën e 12-të me 15 pikë nga tetë ndeshje. Celticu ishte i 21-ti me 12 pikë.
Skuadra skoceze pritet të ketë përkrahje të madhe nga tribunat dhe kjo mund të ketë ndikim.
“Mendoj se me energjinë dhe me përkrahjen që do të kemi, çdo gjë është e mundur në këtë ndeshje. E rëndësishme për ne është që të jemi fuqishëm në garë kur të udhëtojmë për në Gjermani. Ne duam të dalim në fushë dhe të performojmë. Nëse paraqitemi mirë, ashtu si kemi bërë në Champions sidomos në ndeshjet në shtëpi, atëherë mund të marrim rezultatin që meritojmë”, ka thënë trajneri i Celticut, Brendan Rodgers.
Bayerni është lider në Bundesligë, ndërsa i ka tetë pikë më shumë se përcjellësi i parë, Bayer Leverkuseni. Në fundjavë fitoi 3:0 ndaj Ëerder Bremenit.
Celticu po ashtu është lider në Skoci, ndërsa është shkëputur 13 pikë nga Rangersi.
“Paraqitja në ‘Celtic Park’ do të jetë emocionale. Do të ketë zhurmë dhe përkrahje të madhe për Celticun. Duhet të shfaqim cilësitë e futbollit në fushë dhe ky është kusht për të fituar”, ka thënë drejtori sportiv i Bayernit, Max Eberl.
Në udhëtim luan edhe Milani, ndaj Feyenoordit në Holandë. Skuadra holandeze të hënën shkarkoi trajnerin, ndërsa të martën caktoi trajnerin e përkhoshëm.
Milani fazën e ligës e përfundoi në vendin e 13-të me 15 pikë. Feyenoordi ishte i 19-ti me 13 pikë.
“Dua të vazhdojmë me futboll atraktiv, të jemi të gjithë si një dhe të marrim rezultate. E konsideroj nder të madh që klubi më besoi dhe do të bëj çdo gjë të mundur për ta kryer punën sa më mirë. Kemi pasur seancë të mirë stërvitore dhe jemi në formë”, ka thënë trajneri i përkohshëm i Feyenoordit, Pascal Bosschaart. Ai e zëvendësoi Brian Prisken e shkarkuar.
Nga ora 21:00 është edhe takimi në mes të Monacos dhe Benficas.
Ndërkohë në terminin prej orës 18:45 zhvillohet takimi mes Club Brugge dhe Atalantas.
Skuadra belge Club Brugge u kualifikua nga pozita e 24-t, që ishte e fundit që siguroi avancimin nga faza e ligës. Prej lojtarëve më të rëndësishëm te kjo skuadër është Ardon Jashari, mesfushori kreativ. Atalanta ishte e nënta në fazën e ligës. Tetë skuadrat e para avancuan direkt në një të tetën e finales. Berat Gjimshiti është prej mbrojtësve kryesorë të Atalantas.
Atalanta është fituese në fuqi e Ligës së Evropës dhe llogaritet favorite ndaj Club Brugge. Ndër të tjera edhe për shkak të pozitës në fazën e ligës. Për Bruggen mund të jetë sukses kalimi në fazën nokaut, por trajneri Nicky Hayen kërkon më shumë.
“Pas kualifikimit ne duam më shmë. Si klub mbesim ambicioz dhe do ta synojmë raundin tjetër. Atalanta është ekip i disiplinuar me shumë kualitet dhe aftësi për shënimin e golave. Është ekip i fortë, ndoshta jo gjithnjë spektakolar, por që performon në nivel të lartë si në kampionatin vendor, ashtu edhe në garat evropiane”, ka thënë Hayen të martën në konferencë për shtyp.
Ndeshjet e kthimit janë të martën e ardhshme.