Futboll

Batatina: Stadiumi mbushet për Llapin, Prishtinën e “pushtojnë” llapjanët

Tahir Batatina

Prishtina ka nisur disa ditë më parë kampanjën për të mbledhur sa më shumë shikues për ndeshjen ndaj Llapit. Ndër të tjera, klubi prishtinas i ka ftuar publikisht edhe ish-futbollistët dhe ish-trajnerët e tij.

Kjo, ndër të tjera, dëshmon se sa shumë i kushton rëndësi Prishtina ndeshjes derbi me Llapin.

Prishtina e Llapi takohen të shtunën nga ora 19:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”. Ndeshja i takon xhiros së katërt të Superligës së Kosovës në futboll.

Derbi për Prishtinën vjen në moment të mirë. Në xhiron e kaluar skuadra e kaltër fitoi 3:1 në udhëtim ndaj Ferizajt. Ndërkohë, Llapi humbi 1:0 në shtëpi nga Malisheva.

Llapi aktualisht është i katërti me katër pikë. Ka edhe një fitore e një barazim. Në xhiron e parë luajti 1:1 me Gjilanin e më pas fitoi 2:0 ndaj Feronikeli 74 në Drenas. Prishtina i ka po ashtu katër pikë, por nga dy ndeshje. Renditet e dyta në tabelë. Prishtina në nismë të edicionit 2024/2025 luajti pa gola me Suharekën. Ndeshja e xhiros së dytë ndaj Dritës është shtyrë.

“Ndeshja ndaj Llapit do të jetë mjaft e vështirë. Ndonëse ka humbur në ndeshjen e fundit, Llapi ka ekip cilësor. Kemi pasur kohë të mjaftueshme që të përgatitemi. Me ndihmën e tifozëve do të dalim me tri pikë nga kjo ndeshje”, ka thënë kapiteni i Prishtinës, Drilon Islami.

Prishtina ka pësuar ndryshime të mëdha për këtë edicion. Skuadra prishtinase ende po merr formë, ndërsa ndeshja me Llapin do të jetë tregues i mirë për  drejtimin e Prishtinës.

Ndërkohë Llapi ka ruajtur bërthamën e ekipit. Ka shtuar cilësi me angazhimin e disa lojtarëve, por  humbja në shtëpi nga Malisheva la shije të hidhur.

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina thotë se Prishtina nuk kishte nevojë për listën e gjatë me të ftuarit për ndeshje.

“Nuk e kemi të lehtë, sepse Prishtina i ka ftuar të gjithë në këtë ndeshje. E pashë një postim të gjatë. Nuk kanë pasur arsye për të bërë thirrje sepse të gjithë e dinë se stadiumin ‘Fadil Vokrri’ vetëm Batatina me Llapin e mbushin me shikues. Adhuruesit e futbollit e dinë se derbi më i madh në Kosovë do të jetë Llapi - Prishtina. Nuk e kemi të lehtë sepse nuk e dimë mirë gjuhën frënge, por disa fjalë i di sepse e kam pasur si lëndë në shkollën e mesme dhe fillore. Prishtinën, dihet, e pushtojnë ata që e menaxhojnë kryeqytetin, e ata janë kush tjetër përveç llapjanëve”, ka thënë Batatina për KOHËN.
Xhiroja e katërt fillon me ndeshjen Feronikeli 74 – Dukagjini. Kjo ndeshje zhvillohet të shtunën nga ora 16:00 në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas.

Të dielën nga ora 16:00 janë ndeshjet  Malisheva – Ballkani dhe Suhareka – Gjilani. Xhiroja mbyllet me ndeshjen Drita – Ferizaj, që zhvillohet të hënën nga ora 16:00 në Gjilan. Për Dritën është ndeshja e parë kampionale. Drita ka shtyrë tri ndeshje për shkak të angazhimeve në gara evropiane. Të enjten u eliminua nga Liga e Konferencës dhe tani gjithë fokusin do ta ketë në Superligë.