Futboll

Batatina përmend “miqësoret” dhe “luftën e Llapit në fushë”

LLAPI-Gjilani

Te skuadra e Llapit pranojnë se humbja apo barazimi ndaj Gjilanit dhe fitorja e dy rivalëve, Ballkanit ndaj Malishevës dhe Dritës ndaj Prishtinës, do t’i largonte nga gara për titull të kampionit të Kosovës në futboll. 

Por trajneri i Llapit, Tahir Batatina, është i bindur se futbollistët e tij do ta fitojnë ndeshjen ndaj Gjilanit për të mbetur fuqishëm në garë për titull të kampionit. Ndeshja Gjilani – Llapi, si dhe katër ndeshjet e tjera të javës së 33-të të Superligës në futboll, luhen të enjten nga ora 15:00.
Llapi është në vendin e dytë me 64 pikë. Dy pikë më shumë i ka lideri, Ballkani, kurse Drita është në vendin e tretë me 62 pikë. 

Gjilani është në vendin e shtatë me 34 pikë dhe për synim ka shmangien e barazhit.

“Do të jetë ndeshje e vështirë pasi Gjilani ka skuadër të mirë. Por ne do ta bëjmë punën tonë ashtu si në çdo ndeshje deri tash. Na mbetet të luftojmë në fushë për ta fituar ndeshjen dhe të mbesim në garë për kreun e tabelës. Pra të mbesim në garë deri në ndeshjen kundër Ballkanit, për të parë se cila skuadër është më e mirë për titull. Edhe rivalët kanë ndeshje të vështira, por mbetet të shihet pasi kemi parë se ka edhe befasi”, ka thënë Batatina për KOHËN, të mërkurën.
Ai është i bindur se Llapi do t’i kalojë me sukses të gjitha katër ndeshjet, që i quan “finalet e këtij edicioni”.

“Nëse shohim realitetin, këtë kampionat Llapi është fokusuar vetëm në ndeshjet e veta. Në fushë po del me luftë dhe me korrektësi. Nëse do të dalim kampion, nuk do të dalim me lojë miqësore, por me luftë në fushë. Kjo më gëzon mua si trajner. Do të mbahet gjatë mend në futbollin e Kosovës që një skuadër do të dalë kampion me meritë, me luftë të fituar në fushë”, është shprehur Batatina.

Llapi ka bilanc më të mirë në katër përballjet e fundit në Superligë me Gjilanin. Ka shënuar tri fitore, ndërsa vetëm ndeshja e 20 majit të vitit të kaluar përfundoi baras, 2:2.

Trajneri i Gjilanit, Gentjan Mezani, thotë se skuadra e tij kërkon pikët e qetësisë. 

“Ne i shikojmë me radhë ndeshjet. Janë katër ndeshje të rëndësishme për ne. Ndeshjen e radhës e kemi me Llapin dhe do të shohim për t’i fituar pikët e plota, për të qenë më të qetë për javën e ardhshme. Vëmendjen e kemi në ndeshjen e radhës dhe pikët e plota ndaj Llapit. Edhe pse ndoshta nuk kemi marrë në dy ndeshjet e fundit ato që kemi dëshiruar, kemi bërë maksimumin. Kemi pasur mundësitë tona, angazhimi ka qenë maksimal dhe pres të jetë angazhimi maksimal edhe ndaj Llapit për t’i fituar pikët e plota”, ka thënë Mezani në konferencë për shtyp. 

Përkrah Mezanit në konferencë ishte mesfushori Donaldo Açka. 26-vjeçari thotë se janë përgatitur për t’i fituar pikët e plota ndaj Llapit.

“Ambienti është shumë i mirë dhe jemi përgatitur për këtë ndeshje të radhës të vështirë. Ne shikojmë vetëm pikët e plota. Jemi përgatitur për këtë ndeshje dhe besoj se do t’ia dalim”, ka thënë Açka.
Deri në fund të edicionit kanë mbetur edhe katër xhiro për t’u zhvilluar. Liria e Fushë Kosova kanë rënë nga elita, ndërsa garë e fortë po zhvillohet edhe për të shmangur barazhin.

Në kuadër të xhiros së 33-të, ndeshje të vështira, të paktën në letër, kanë edhe Ballkani e Drita. Ballkani luan në udhëtim ndaj Malishevës, ndërsa Drita takohet me Prishtinën në stadiumin e “Ramiz Sadikut” në kryeqytet.

Superliga – Java 33

E enjten (15:00)
Gjilani – Llapi
Prishtina – Drita
Malisheva – Ballkani
Fushë Kosova – Dukagjini
Feronikeli 74 – Liria

1. Ballkani    32    19    9    4    54:25    66
2. Llapi    32    19    7    6    49:24    64
3. Drita    32    18    8    6    45:23    62
4. Malisheva    32    16    5    11    50:37    53
5. Prishtina    32    10    16    6    34:27    46
6. Dukagjini    32    8    15    9    31:40    39
7. Gjilani    32    8    11    13    33:33    35
8. Feronikeli 74    32    9    7    16    29:44    34
9. Fushë Kosova    32    4    8    20    19:51    20
10. Liria    32    2    8    22    19:59    14