Futboll

Batatina: Luanët e Llapit do ta shkruajnë historinë me shkronja të arta

Kf Llapi

Me fitore ndaj Lirisë, Llapi doli në pozitën e parë në tabelën e Superligës së Kosovës në futboll.

Nëntë xhiro para fundit, Llapi udhëheq në tabelë me 54 pikë, një më shumë se Ballkani. Drita është e treta me 51 pikë.

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, është shprehur i lumtur për daljen në vendin e parë. Ai beson fuqishëm se skuadra që drejton do t’i gëzohet titullit në fund.

Thotë se pozita e parë është fryt i projektit shumëvjeçar të Llapit.

Batatina është shumë falënderues për përkrahjen e madhe që ka.

Meritat për suksesin ua ka lënë lojtarëve, të cilët i ka quajtur “luanë”.

“Këto rezultate nuk janë të rastësishme, por produkt i punës dhe projektit që zgjat me vite i klubit të Llapit. Këto rezultate janë falë kryesisë së klubit e gjithë sponsorëve. Kemi krijuar stabilitet organizativ dhe financiar. Por akterët kryesorë janë luanët e mi të cilëve u kam besuar që nga ndeshja e parë. Djemtë do të shkruajnë historinë e Llapit me shkronja të arta. Historia shkruhet dhe nuk ndryshohet, por të tjerët e lexojnë dhe e kuptojnë se sakrifica, vendosmëria dhe qetësia intelektuale sjellin frytet e suksesit. Falënderoj qytetarët e Llapit për mbështetjen që ma kanë dhënë qe 13 vjet duke besuar në punën time dhe misionin tim me Llapin me ‘Legjendat’ dhe të gjithë qytetarët e Llapit dhe Gollakut”, ka thënë Batatina për KOHËN të dielën mbrëma.

Nën drejtimin e tij Llapi ka fituar Kupën e Kosovës dhe Superkupën, ndërsa ka debutuar edhe në Evropë. Llapi është në pritje të titullit të parë.

Batatina ka thënë se po ka përkrahje të jashtëzakonshme.

“Ky muaj i shenjtë i Ramazanit po më sjell lumturi edhe me suksese, edhe me agjërim, ku Zoti po na ndihmon drejt objektivit shekullor. Modestia, puna e angazhimi, mosinjorimi i njerëzve më ka bërë që nuk po mundem të gjithëve t’u përgjigjem për urimet që m’i japin. Nuk ka gjë më të mirë në jetë sesa kur të do populli ku jeton, qytetarët e shtetit tënd dhe tek unë kjo i ka tejkaluar kufijtë. Gjithë shqiptaria është në këmbë për suksesin tim me Llapin”, ka theksuar Batatina.

Skuadra e tij e pret Dritën më 7 prill në kryendeshjen e xhiros së 28-të.