Futboll

Batatina: Llapin e udhëheqim edhe 50 vjet

Ilir Batatina - KF Llapi

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka dalë me një reagim të gjatë të dielën, një ditë pas humbjes 3:2 nga Prishtina në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Trajneri Batatina ka thënë se me Llapin i ka realizuar të gjitha synimet, ndërsa thekson se ai dhe familja e tij kanë siguruar buxhet për ta udhëhequr klubin edhe për 50 vjet. Ai ka thënë se do të vijë koha kur do të largohet nga posti i trajnerit.

“Do të vijë koha kur do ta ndryshoj edhe pozicionin tim në futboll, por edhe aty ku do të jem, do të pastroj mirë, ashtu siç e kam pastruar Llapin dhe tani jemi në një nivel tjetër. Por, pa i realizuar projektet e mia me Llapin, vetëm një tornado që kaplon Kosovën mund ta ndalojë përfundimin e tyre. Përndryshe, unë, së bashku me vëllain  tim, presidentin e klubit, e kemi të garantuar buxhetin e klubit për 50 vitet e ardhshme, dhe gjithmonë Llapi do të jetë motori i Superligës”, ka shkruar, ndër të tjera, trajneri Batatina në “Facebook”.

Familja Batatina mori klubin nën udhëheqje në vitin 2013. Vetëm gjashtë muaj Batatina nuk ishte trajner i Llapit, nga viti 2013. Nën drejtimin e tij, Llapi ka fituar dy Kupa dhe një Superkupë.

Kontributi i familjes Batatina çmohet. Dhe, trajneri Batatina thotë se për Llapin do të vendosin sërish pas 50 vjetësh.

“Pas 50 vitesh mund të flisni me pasardhësit e mi; ata prapë do të vendosin për Llapin. Deri atëherë, qëndroni të qetë. I juaji dhe i përhershmi i trevës së Llapit dhe Gollakut, pa servilët, Tahir Batatina”.

Ai pas ndeshjes me Prishtinën u ndëshkua me karton të kuq për vërsulje në drejtim të arbitrit Genc Nuza. Ka pasur edhe shkëmbim fjalësh e fyerjesh me tifozë të Prishtinës.