Barcelona që po kalon formë të jashtëzakonshme do të luajë të shtunën ndaj Real Madridit që ka telashe me lëndime, në finalen e Kupës së Mbretit.
Kjo i ofron skuadrës nga Katalonja t’u shkaktojë madrilenëve “turpërimin” e tretë, që synojnë ta përfundojnë edicionin me të paktën një trofe të fituar.
Barcelona ka arritur dy fitore të thella ndaj Realit këtë sezon, 4:0 në “Santiago Bernabeu” në La Liga në muajin tetor, dhe 5:2 në finalen e Superkupës së Spanjës në Arabinë Saudite në muajin janar.
Reali është eliminuar nga Liga e Kampionëve nga Arsenali në çerekfinale, derisa në gjysmëfinale ka kaluar Barcelona që do të përballet me Interin.
Barcelona – Real Madrid luhet të shtunën nga ora 22:00 në “Estadio de la Cartuja” të Sevillas.
Në La Liga, Barcelona prin me 76 pikë, katër më shumë se Real Madridi pas 33 xhirove të luajtura. Deri në fund të kampionatit kanë mbetur edhe pesë xhiro.
Barcelona, që është në ndjekje të “tripletës” në edicionin aktual, është pa humbje në garat vendore prej fundit të muajit dhjetor dhe është duke aplikuar futboll prej më të mirëve në Evropë.
Barça ishte pa humbje në 24 ndeshje rresht në të gjitha garat, deri kur u mposht nga Dortmundi 3:1, në ndeshjen kthyese të çerekfinales së Championsit.
Ndaj Real Madridit, Barcelona do të luajë edhe më 11 maj, në kuadër të xhiros së 35-të të La Ligas.
Te Barcelona nuk do të luajë të shtunën Robert Lewandowski, i cili ka telashe muskulore. Ai pritet të mungojë edhe në mesjavën e ardhshme ndaj Interit.
Barcelona do të mbështetet te 17-vjeçari Lamine Yamal dhe braziliani Raphinha, që mbështeten nga mjeshtri i mesfushës, Pedri. Sulmi i Barcelonës ka shënuar 152 gola në 52 ndeshje të këtij sezoni.
Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, do të jetë pa Eduardo Camavingan dhe David Alaban, ndërsa Kylian Mbappe mund të jetë i gatshëm për këtë ballafaqim.