Futboll

Barça favorite ndaj Dortmundit, Parisi ndaj Villas

Lews

Paris Saint-Germaini tashmë e ka fituar titullin në Francë, ndërsa Barcelona po e udhëheq garën për titull të kampionit në Spanjë.

Por të dy skuadrat kanë synime të mëdha edhe në Ligën e Kampionëve. Për fazën çerekfinale llogariten favorite.

Të mërkurën, prej orës 21:00, Barcelona e pret Borussia Dortmundin, ndërsa Parisi takohet në “Parkun e Princave” me Aston Villan.

Borussia Dortmundi është finalist i edicionit të kaluar, por nuk është në momentin më të mirë. Është vetëm i teti në Bundesligë dhe larg zonës që dërgon në Champions në edicionin e ardhshëm. Por Dortmundi nuk dorëzohet asnjëherë, aq më pak në Champions. Kështu që Barcelona pritet të sfidohet seriozisht, ndonëse llogaritet favorite.

“Mendoj se Barcelona është favorite, por Dortmundi ka luajtur në finalen e kaluar. Çdo gjë është e mundur. Jam pak autsajderë, por kjo jo domosdo shkon në favor të Barcelonës”, ka thënë të martën në konferencë për shtyp trajneri i Dortmundit, Niko Kovaç.

Ai foli edhe për trajnerin e Barçës, gjermanin Hansi Flick.

“E njohim njëri-tjetrin shumë mirë dhe e çmojmë njëri-tjetrin. E dimë edhe qasjen që e kemi për futbollin. Jemi të vetëdijshëm për kualitetin e Barcelonës në sulm dhe duhet të mbrohemi mirë. Duam të përfitojmë nga anët e dobëta të Barcelonës dhe kemi ardhur këtu që të provojmë ta fitojmë ndeshjen”, ka shtuar trajneri i Dortmundit.

Flick ka folur me respekt për Dortmundin. Ka thënë se është ekip stabil që luan futboll sulmues.

“Por ne kemi luajtur mirë në shtëpi dhe në udhëtim në Champions. Nuk ishte e lehtë të arrijmë këtu. Kemi arritur falë punës së madhe që kemi bërë të gjithë. Niko do të përzgjedhë ekip të mirë. Dortmundi është i fortë në defansivë dhe u dëshiroj çdo të mirë lojtarëve të lënduar. Dortmundi ka lojtarë shumë të mirë dhe është mëkat që ka lëndime. Por ka lojtarë të mjaftueshëm për të mbuluar mungesat”, ka thënë Flick.

Parisi mezi e kaloi fazën e ligës në Champions, por më pas e eliminoi Brestin e në një të tetën e finales Liveproolin, favoritin e madh.

Aston Villa ka befasuar për të mirë këtë edicion. Fazën e ligës e përfundoi në vendin e tetë dhe kaloi direkt në një të tetën e finales. E eliminoi ekipin belg, Brugge.

Villa ka shtatë fitore rresht. Së fundi ishte mposhtur më 25 shkurt. Në Premier League është vetëm në vendin e shtatë. Ndërkohë Parisi nuk ka pësuar ende humbje në kampionatin francez, kurse titullin e festoi të shtunën.

“Kam kaluar dy vjet këtu në Paris dhe ndihem mirë që jam kthyer. Kthehem për herë të parë. Është e veçantë për mua dhe jam i lumtur se si jam kthyer këtu, duke udhëhequr Villan në Champions. Do të mundohem ta shijoj këtë çerekfinale”, ka thënë trajneri i Aston Villas, Unai Emery. “Villa është klub historik dhe kur e mora drejtimin e kam ditur historinë e klubit. Ndeshja do të jetë e veçantë për të gjithë që përkrahin Villan. Do të jetë sfidë e madhe për lojtarët dhe për mua, por kemi besim. Do të mundohemi të përfitojmë nga të gjitha rastet që i krijojmë”, ka shtuar Emery.

Te Parisi kanë shumë konsideratë për Aston Villan.

“Kur arrin në këtë fazë të garës, nuk ka fat të përfshirë. Kështu që nëse Aston Villa është këtu, atëherë e meriton të jetë. Nuk ka diskutime për favorit. Villa është ekip i mirë dhe lojtarë të mirë. Duhet të jemi seriozë nga fillimi deri në fishkëllimën e fundit. Njëjtë edhe në ndeshjen e kthimit”, ka thënë sulmuesi i Parisit, Desire Doue.