Nazmi Gripshi shënoi gol në fundin e ndeshjes derbi ndaj Dritës, për t’ia mundësuar Ballkanit qëndrimin në vendin e parë të Superligës së Kosovës në futboll.
Ballkani të dielën barazoi 2:2 kundër Dritës në stadiumin e qytetit në Suharekë. Ishte padyshim ndeshja më e mirë e sezonit në Superligë këtë edicion
Ballkani i prin tabelës me 60 pikë, dy më shumë se Drita e vendit të dytë.
Ndeshja ishte dramatike dhe me shumë raste për shënim.
Drita shënoi në minutën e shtatë me Blerim Krasniqin, por goli u anulua nga gjyqtari Dardan Çaka, pas rishikimit të situatës në VAR.
Gjyqtari Çaka pa prekje të topit me dorë.
Krasniqi shënoi tjetër gol në minutën e 50-të, i cili u pranua.
Golin e 11-të të edicionit aktual e shënoi pas asistimit të Albert Dabiqajt.
Vetëm katër minuta zgjati gëzimi i mysafirëve, pasi Gentrit Halili i barazoi shifrat në 1:1. Halili shënoi pas harkimit të Armend Thaqit nga këndi.
Kur ndeshja po shkonte drejt përfundimit, në skenë u shfaq zëvendësuesi Ensar Huruglica.
Huruglica me gjuajtje shumë të fuqishme e të saktë, e mposhti portierin Enea Koliçi në minutën e 89-të për t’i dhënë epërsinë gjilanasve.
Por drama s’kishte mbaruar. Në minutat shtesë, Nazmi Gripshi shënoi për ta mbajtur lider ekipin suharekas në tabelë, duke shënuar për 2:2.
Në xhiron e ardhshme, Drita luan në udhëtim te Dukagjini, kurse Ballkani përballet me Gjilanin në udhëtim.
