Futboll

Barazim dramatik në ndeshjen Stuttgart – Mainz

Stuttgart Mainz

Nënkampioni i edicionit të kaluar në Bundesligë, Stuttgarti, nuk e ka ruajtur epërsinë 3:2 të krijuar dy minuta para fundit. 

E pranoi një gol në minutën e katërt të kohës shtesë, dhe barazoi 3:3 të shtunën me Mainzin, në ndeshjen e xhiros së dytë të elitës gjermane. 

Enzo Millot në minutën e tetë dhe Jamie Leweling në minutën e 15-të shënuan për 2:0 në të mirë të vendësve. 

Mainzi u kthye në lojë me golat e Nadiem Amirit nga penalltia dy minuta pa u mbyllur pjesa e parë, ndërsa për 2:2 shënoi Jonathan Burkardt, në minutën e 62-të. Sulmuesit të Mainzit iu anulua një gol në minutën e 73-të për pozitë jashtë loje. 

Ishte Stuttgarti sërish që shënoi për 3:2 me mesfushorin zviceran, Fabian Rieder, dy minuta para fundit. 
Por Mainzi e fitoi një pikë të madhe në udhëtim, falë golit të minutës së 94-t të shënuar nga Maxim Leitsch. 

Për Stuttgartin ishte pika e parë e fituar në edicionin aktual, pas disfatës nga Freiburgu. 

Ndërkohë, Mainzi e fitoi pikën e dytë të sezonit të ri, pas barazimit me Union Berlinin.