Ballkani e di se çdo rezultat tjetër pos fitores do ta largonte edhe më shumë nga gara për titull. Duke e pasur parasysh situatën momentale në tabelë, Ballkani synon ta fitojë derbin ndaj Prishtinës për të mbetur ende në garë për trofeun e kampionit të Kosovës. Ballkani është i dyti në Superligë me 39 pikë, njëmbëdhjetë më pak se Drita. Prishtina në pozitën e pestë ka 30 pikë.
Ndeshja Ballkani – Prishtina luhet të shtunën nga ora 14:00 në stadiumin e qytetit, në Suharekë.
Sulmuesi i krahut te Ballkani, Almir Kryeziu, thotë se ndeshjet me Prishtinën janë gjithmonë të vështira. Por duke dhënë maksimumin, thotë Kryeziu, skuadra do të marrë pikët e plota. Ai thotë se te Ballkani ende nuk janë dorëzuar.
“Normalisht ka ende shumë ndeshje deri në fund dhe gara për titull është ende e hapur. Kemi lëshuar shumë pikë në ndeshjet e fundit. Por, duhet të shikojmë vetëm përpara dhe t’i rikuperojmë pikët dhe ta vazhdojmë luftën për titull”, ka thënë Kryeziu të premten për KOHËN.
Ballkani në xhiron e kaluar u mposht nga Malisheva. Formë dukshëm më të dobët në elitë ka Prishtina, që në shtatë ndeshjet e fundit nuk ka fitore. Ka pesë barazime e dy disfata.
Portieri Ardit Nika thotë se skuadra ka pasur mungesë fati dhe se ndaj Ballkanit synojnë fitore për ta lënë pas ecurinë pa fitore.
“Është një ndeshje e vështirë dhe shumë e rëndësishme për ne, sepse kërkojmë të dalim nga ngërçi i rezultateve në kampionat. Jemi të motivuar për t’iu rikthyer fitoreve, njëkohësisht edhe rezultateve pozitive. Në ndeshjet e fundit kemi pasur edhe mungesë fati”, është shprehur portieri Nika për KOHËN.
Ballkani shpresën e vetme për ta shpëtuar sezonin e ka në kampionat, pas eliminimit nga Kupa. Prishtina e dorëzuar në garën për titull, është në gjysmëfinale të Kupës.
Drita – Prishtina dhe Llapi – Drenica janë ndeshjet gjysmëfinale të Kupës së Kosovës.
Pikërisht Llapi dhe Drita do të përballen të shtunën në derbin tjetër të xhiros së 23-të.
Ndeshja zhvillohet në stadiumin “Zahir Pajaziti”, në Podujevë, nga ora 14:00.
Llapi është i parafundit me 23 pikë dhe është në kërkim të fitores për të dalë nga zona e rrezikshme.
“Do të jetë ndeshje e vështirë, sepse Drita po kalon formë të mirë dhe pozita në tabelë e tregon këtë. Na duhet të luftojmë shumë. Do ta bëjmë maksimumin, sepse pozita në tabelë na detyron të japim më shumë nga vetja, për të dalë nga kjo zonë”, ka thënë Tahir Batatina, trajner i Llapit.
Te Drita kanë kërkuar të jenë të kujdesshëm për këtë përballje.
“Llapi ka kualitet të madh brenda grupit. Në bazë të kualitetit nuk e meriton të jetë në atë pozitë. Por, Llapi mbetet i rrezikshëm gjithmonë”, ka thënë trajneri Zekirija Ramadani.
Të dielën luhen ndeshjet Gjilani – Feronikeli 74 dhe Dukagjini – Malisheva.