Futboll

Ballkani s’lejon befasi, kualifikohet

KF Ballkani

(21:55) - Ballkani nuk ka lejuar befasi dhe është kualifikuar në rundin e tretë të Ligës së Konferencës. Të martën, kampioni i Kosovës mposhti Hamrunin në Maltë 2:0.

Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja pati barazuar pa gola një javë më parë në “Zahir Pajaziti”.

Në stadiumin “Tony Bezzina”, Ballkani pati iniciativë më të madhe që nga fillimi.

Por gol nuk realizoi deri në minutën e 64-t. Walid Hamidi shfrytëzoi një gabim të portieri vendas dhe çoi topin në rrjetë.

Për ta vulosur kualifikimin u përkujdes Bernard Karrica që shënoi nga penalltia në minutën e 76-të.

Për një vend në plejof të Ligës së Konferencës, Ballkani do të luajë me Larnen e Irlandës së Veriut – ekip të cilin skuadra kosovare e eliminoi lehtësisht vitin e kaluar. Ndeshja e parë luhet më 8 gusht në Podujevë, ndërsa ajo e kthimi më 15.

Ballkani po synon ta përsërisë ecurinë historike të dy sezoneve të kaluara, kur u kualifikua në grupe të Ligës së Konferencës.

Në rundin e tretë u kualifikua edhe Drita.


Ballkani drejt kualifikimit

(21:35) - Ballkani po shkon drejt kualifikimit në rundin e tretë të Ligës së Konferencës.

Kampioni i Kosovës ka shënuar golin e dytë ndaj Hamrunit në Maltë dhe po udhëheq 2:0.

Bernard Karrica shënoi nga penalltia në minutën e 76-të.


Hamidi shënon supergol për epërsinë e Ballkanit

(21:25) - Ballkani ka kaluar në epërsi ndaj Hamrunit në Maltë.

Ishte Walid Hamidi që shfrytëzoi një gabim të portierit vendas dhe arriti të shënonte supergol në minutën e 65-të për rezultatin 1:0. 

Kampioni i Kosovës është në epërsi po ashtu 1:0 me rezultat të përgjithshëm. Është pranë kalimit në rundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës.


Iniciativë e Ballkanit, por pa gola në pjesën e parë

(20:48) - Ballkani zhvilloi 45-minutësh pozitiv në Maltë kundër Hamrunit, për ndeshjen e vlefshme për rundin e dytë të kualifikimeve të Ligës së Konferencës. Por rezultati pas pjesës së parë është 0:0.

Pa gola përfundoi edhe ndeshja e parë në “Zahir Pajaziti” para një jave.

Ballkani po synon ta përsërisë ecurinë historike të dy sezoneve të kaluara, kur u kualifikua në grupe të Ligës së Konferencës.