Por kjo nuk ishte “e keqja” e vetme. Po në fundjavë Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se ka nisur hetimet për ndeshjen e fituar nga Ballkani me rezultat 2:0 ndaj Dinamo Zagrebit. Prokuroria po heton për kurdisje të ndeshjes së zhvilluar më 5 tetor të vitit të kaluar.
Te Ballkani kanë mohuar përfshirjen në kurdisje të ndeshjes dhe kanë ofruar bashkëpunim në hetim. Ndërkohë te kampioni kanë kthyer fokusin te sfida e radhës, derisa synim kanë fitoren kundër rivalit të qytetit, Suharekës.
Ballkani dhe Suhareka do të përballen të mërkurën në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Kosovës.
Gjysmëfinalja e dytë është ajo në mes të fitueses në fuqi të Kupës, Prishtinës dhe Dritës. Ndeshja Prishtina – Drita luhet në Lipjan. Të dyja ndeshjet zhvillohen nga ora 15:00.
Gjysmëfinalja është me dy ndeshje. Pra, të mërkurën nuk caktohen finalistët.
Mbrojtësi i Ballkanit, Lumbardh Dellova, pret fitore me rezultat të favorshëm për ekipin e tij.
"Për çdo ndeshje hyjmë si ekip vetëm për fitore. Kështu do të jetë edhe në ndeshjen për Kupë. Do ta japim maksimumin duke ditur se është ndeshje për Kupë dhe kundër rivalit të qytetit. Do të mundohemi të arrijmë rezultat që mund të na lërë të qetë edhe për ndeshjen e dytë", ka thënë Dellova për KOHËN.
Dellova me Ballkanin ka fituar dy tituj të kampionit. Ai udhëhoqi mbrojtjen e Ballkanit në dy paraqitjet rresht në fazën grupore të Ligës së Konferencës.
Histori të shkurtër si klub ka Suhareka. Por organizimi dhe rezultatet nuk po i mungojnë në Ligën e Parë. Suhareka është lidere e Grupit A.
Mbrojtësi me përvojë Yll Hoxha thotë se prioritet kanë ngritjen në Superligë.
"Kemi kaluar pritshmëritë duke u kualifikuar në gjysmëfinale të Kupës që në vitin e parë si klub. Prioritet i klubit është futja në Superligën e Kosovës dhe jo Kupa. Kemi shumë respekt për ekipin që ka shkruar histori në futbollin e Kosovës, por në ndeshje do të japim maksimumin, sepse jemi në formë të mirë", ka thënë Hoxha.
Dukshëm më e fortë vlerësohet gjysmëfinalja mes Prishtinës dhe Dritës.
Prishtina ka publikuar disa statistika nga përballjet me Dritën.
Për Kupë, Prishtina dhe Drita janë takuar katër herë. Në vitin 2016 ishin përballur në finale, të cilën Prishtina e pati fituar 2:1. Në vitin 2021, Prishtina kishte triumfuar në 1/8 e finales me rezultatin 1:0 dhe në vitin 2003 kryeqytetasit kishin triumfuar në çerekfinale me rezultatin 2:1 në Prishtinë dhe kishin barazuar 1:1 në Gjilan.
“Na pret një ndeshje e vështirë në kuadër të gjysmëfinales së Kupës së Kosovës, por duke e ditur objektivin e klubit, do ta japim maksimumin për të arritur finalen dhe për ta fituar këtë trofe”, ka thënë mesfushori Drilon Islami.
Ndeshjet e kthimit luhen më 17 prill.
Fituesi i Kupës siguron paraqitjen në kualifikimet e Ligës së Konferencës.