Futboll

Ballkani në garë për titull me katër grupmosha

Ballkani

Fituesi i tre titujve të fundit të kampionit të Kosovës në futboll, Ballkani, po kërkon të bëhet klubi i parë që fiton katër herë rresht Superligën kosovare. 

Deri më tani skuadra nga Suhareka ia ka dalë shumë mirë. Është në vendin e parë me 17 pikë, sa i  ka edhe Malisheva. 

Por, ekipi senior i Ballkanit nuk është i vetmi i këtij klubi që mban vendin e parë. Edhe me ekipin U21, Ballkani është lider i Superligës. Ndërsa në garë për titull të kampionit janë edhe grupmoshat U19 dhe U17 të klubit suharekas. 

Ballkani është klubi i vetëm që lufton me thuajse të gjitha grupmoshat për titull të kampionit.  

“Kam hyrë në vitin e shtatë që jam pjesë e Ballkanit. Klubi si strategji e ka punën me shkollën e futbollit dhe sinqerisht kam parë përkushtim dhe punë shumë të madhe nga çdo trajner. Kjo meriton lavde. Tregojnë edhe rezultatet. Përkundër ndryshimeve si në shtabin teknik po ashtu edhe në strukturën e futbollistëve, ne jemi sërish ekip konkurrues dhe pretendent për titull. Kjo falë punës së madhe që po bëhet në klub nga të gjithë. Jemi ekip që po rritemi nga ndeshja në ndeshje dhe besoj se do të jemi konkurrues dhe të qëndrojnë aty ku e kemi vendin”, ka thënë mbrojtësi Arbër Potoku për KOHËN.
Potoku është njëri prej kapitenëve të Ballkanit dhe shquhet për kontributin që jep për skuadrën.
Edhe drejtori i shkollës së futbollit Ballkani, Driton Mamaj, vlerëson mbështetjen nga krerët e klubit.
“Ballkani përveç organizimit me ekipin senior, rëndësi të veçantë i ka kushtuar edhe shkollës së futbollit”, ka thënë Mamaj të mërkurën.

Ballkani me grupmoshën U19 është në vendin e dytë të Superligës me një pikë më pak se 2 Korriku i Prishtinës, por me një ndeshje më shumë të zhvilluar. Me gjeneratën U17, Ballkani është në vendin e shtatë, gjashtë pikë prapa lideres, Trepçës ’89.

Te Ballkani stërviten tri herë në javë gjeneratat prej 6 deri në 9 vjet. Janë të organizuara edhe grupmoshat U11, pastaj U13 A dhe U13 B, që stërviten katër herë në javë. Dy grupe i ka edhe në grupmoshën U15 që marrin pjesë në gara regjionale të organizuara nga FFK-ja.

“Trajnerët përveçse janë të licencuar, kanë edhe të kaluar të mirë nga fusha e edukimit fizik dhe sportit. Janë të dëshmuar në aspektin didaktik dhe pedagogjik”, është shprehur Mamaj. 

Ballkani me grupmoshën U21 është forcuar në vendin e parë pas fitores 7:0 që e arriti të martën ndaj Feronikelit 74.

Ekipin U21 e drejton Edon Gashi. Ai është edhe asistent i trajnerit të ekipit të seniorëve, Artim Pollozhani.

Gashi më herët ka punuar edhe me trajnerin Ilir Daja, që shkroi histori në futbollin kosovar.

“Prejse kemi nisur punën me profesorin Daja, ka pasur për qëllim që puna dhe mentaliteti i ekipit të jenë të njëjtë si te seniorët ashtu edhe tek ekipi U21. Po funksionon mjaft mirë. Edhe vjet kemi punuar kështu. Tash kemi rritur edhe më shumë fondin e lojtarëve. Po merremi shumë me lojtarë të rinj. Shembull, Lindon Emërllahun e kam përcjellë qysh kur ka qenë 8-vjeçar. Me Lindonin, Albin Berishën, Qëndrim Zybën kemi dalë kampion dy herë me grupmoshën U19. Tani po zhvillohet mirë edhe Lorik Kolgeci e po ashtu Dukagjin Bajraktari. Ka edhe lojtarë tjerë që i kemi marrë nga ekipet e tjera. Kemi synim për t’i zhvilluar dhe për t’i ngritur në ekipin e parë”, ka thënë Gashi.

Ai thotë se mangësi e vetme e Ballkanit është infrastruktura. 

Ditë më parë është njoftuar nga MKRS-ja për nisjen e procedurave për ndërtimin e një stadiumi të kategorisë së dytë në Suharekë.