Santa Coloma e Andorrës do të jetë kundërshtari i parë i Ballkanit në kualifikimet e Ligës së Kampionëve.
Rrugëtimin kampioni i Kosovës do ta nisë nga faza e parë, ndërsa ndeshja e parë do të zhvillohet në Kosovë, kurse ajo e kthimit në Andorrë.
Ndeshjet e para të raundit të parë kualifikues të Championsit për edicionin 2024/2025 do të luhen më 9/10 korrik, kurse e kthimit më 16/17 korrik.
Nuk është vendosur ende nëse Ballkani dhe klubet tjera pjesëmarrëse të Kosovës në garat evropiane do t’i zhvillojnë ndeshjet e tyre si vendase në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Në stadiumin “Fadil Vokrri” janë duke u bërë punime në ndërrimin e tapetit. Është thënë se tapeti i ri do të jetë hibrid, ndërsa shtetit i kushtoi 1.3 milionë euro. Opsion është edhe stadiumi “Zahir Pajaziti” në Podujevë.
Ballkani në edicionin e parë u eliminua në raundin e parë të Ligës së Kampionëve. Por rrugëtimin e saj në Evropë e vazhdoi me shumë sukses në Ligën e Konferencës duke u kualifikuar në fazën e grupeve të garës së tretë për nga rëndësia e UEFA-s. Edhe në edicionin e dytë Ballkani u ndal në raundin e parë të Championsit, ndërsa sërish u paraqit në grupet e Ligës së Konferencës.
Tani synon ta kalojë skuadrën nga Andorra, Santa Coloma.