Kupa e Kosovës

Ballkani fiton Kupën e Kosovës, lë Prishtinën pa Evropë

Ballkani

Ballkani është fitues i Kupës së Kosovës në futboll për edicionin 2023/2024.

Në finale Ballkani e mposhti Prishtinën, të mërkurën në Drenas. Ndeshja u vendos në penallti. Suharekasit fituan me rezultat 4:2.

Goditjen e Albin  Krasniqit e ndali Enea Koliçi, ndërsa Ardian Muja goditi shtyllën.

Ndeshja në kohën e rregullt përfundoi 2:2, ndërsa rezultati nuk ndryshoi pas dy vazhdimeve nga 15 minuta. Në gjuajtjet nga pika e bardhë më të suksesshëm ishin lojtarët e Ballkanit.


(E përditësuar 17:46) - Penalltitë vendosin fituesin e Kupës 

Penalltitë do të vendosin fituesin e Kupës së Kosovës në futboll. 

Pas 120 minutave lojë rezultati është 2:2. 

Vazhdimet nuk kanë ofruar gola.


(E përditësuar 17:30)  - Përfundon vazhdimi i parë

Nuk janë shënuar gola në vazhdimin e parë prej 15 minutash në finalen e Kupës mes Ballkanit e Prishtinës.

Rezultati i ndeshjes në Drenas mbetet 2:2.


(E përditësuar 17:05)  - Koha e rregullt nuk jep fitues, finalja në vazhdime 

Nuk ka dhënë fitues koha e rregullt në finalen e Kupës së Kosovës mes Ballkanit dhe Prishtinës.

Ballkani ka udhëhequr 2:0, por Prishtina është kthyer dhe ka barazuar në 2:2. Madje në minutat e fundit kishte rast për 3:2, por Ardian Muja gjuajti mbi portë nga afërsia.

Tani në radhë janë dy vazhdimet nga 15 minuta.


(E përditësuar 16:52) - Dramë në finale, barazon Prishtina

Prishtina ka barazuar në 2:2 rezultatin në finalen ndaj Ballkanit.

Në minutën e 82-të realizoi Albin Krasniqi.


(E përditësuar 16:46) - Prishtina kthehet në lojë, shënon Krasniqi

Albin Krasniqi ka realizuar penallti në minutën e 78-të për të ngushtuar rezultatin në 2:1 në ndeshjen Ballkani – Prishtina.

Penalltia u dha pas rishikimit të VAR-it, ndërsa më pas kishte edhe përplasje mes lojtarëve në zonë.


(E përditësuar 16:20) - Ballkani shënon golin e dytë, udhëheq 2:0

Meriton Korenica ka shënuar për 2:0 në të mirë të Ballkanit në finalen e Kupës ndaj Prishtinës.

Korenica shënoi në minutën e 52-të, por nuk festoi.


(E përditësuar 16:16) - Rinis finalja e Kupës

Pjesa e dytë e finales së Kupës mes Ballkanit e Prishtinës ka nisur me 15 minuta vonesë. Ende  pa nisur pjesa e dytë kishte hedhje të gjësendeve nga tifozët e Prishtinës dhe portieri i Ballkanit, Enea Koliçi u godit në kokë.

Ai mbeti i shtrirë për rreth 5 minuta. Folësi zyrtar ua ka dhënë vërejtjen e fundit tifozëve lidhur me gjësendet e hedhura.

Ballkani po udhëheq 1:0.


(E përditësuar 16:05) - Ndërpritet finalja e Kupës

Finalja e Kupës së Kosovës mes Ballkanit dhe Prishtinës është ndërprerë sapo skuadra kanë dalë në fushë në pjesën e dytë.

Tifozët “Plisat” kanë goditur portierin e Ballkanit, Enea Koliqi. Koliqi mori ndihmë mjekësore.

Gjyqtarët po diskutojnë se si të veprohet. 

Ballkani po udhëheq 1:0. 


(E përditësuar 15:48) - Ballkani në epërsi pas pjesës së parë

Kampioni në fuqi i Kosovës, Ballkani e ka mbyllur me epërsi minimale pjesën e parë të finales së Kupës së Kosovës në futboll. Ballkani mbylli pjesën e parë me rezultatin 1:0 kundër Prishtinës.

Ndeshja finale e Kupës po luhet në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas.

Golin e epërsisë për Ballkanin e shënoi Walid Hamidi në minutën e 21-të. 

Prishtina nuk pati ndonjë rast serioz drejt portës së Ballkanit.

Përveç golit të epërsisë, as Ballkani nuk pati raste tjera të mira shënimi.


(E përditësuar 15:41) - Prishtina i afrohet golit të barazimit

Prishtina e ka regjistruar rastin e parë serioz në minutën e 39-të të ndeshjes finale të Kupës së Kosovës ndaj Ballkanit.

Ardian Muja dhe Hasan Hyseni nuk u koordinuan në rastin e parë për të barazuar rezultatin.

Ballkani është në epërsi 1:0 me golin e minutës së 21-të.


(E përditësuar 15:34) - Prishtina e parrezikshme për Ballkanin

Prishtina nuk është treguar ene e rrezikshme për Ballkanin. Ballkani është treguar skuadër më e mirë në 30 minutat e para të ndeshjes finale të Kupës së Kosovës në futboll.

Prishtina nuk pati asnjë rast të mirë për gol në ndeshjen që po luhet në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas.

Ballkani është në epërsi 1:0 me golin e minutës së 21-të i realizuar nga sulmuesi Walid Hamidi.


(E përditësuar 15:22) - Ballkani 1:0 Prishtina (Hamidi 21')

Walid Hamidi ka kaluar Ballkanin në epërsi. Pas fillimit të qetë në ndeshjen finale të Kupës në mes të Ballkanit dhe Prishtinës, sulmuesi Hamidi shënoi golin e epërsisë 1:0. 

Ai realizoi gol në minutën e 21-të të ndeshjes finale që po luhet në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas.


Nga ora 15:00, ka nisur finalja e Kupës së Kosovës mes Ballkanit dhe Prishtinës e cila po luhet në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas.

Ballkani po kërkon trofeun e parë të Kupës, ndërsa Prishtina të nëntin.

Ndiqni rezultatin në kohë reale.