Për kampionin e Kosovës në futboll, Ballkanin, Larne nuk është kundërshtar i panjohur.
Me ekipin nga Irlanda e Veriut, Ballkani u ballafaqua vitin e kaluar, ndërsa e eliminoi pa telashe.
Lehtësisht synon ta kalojë edhe këtë herë, në kuadër të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Ndeshjen e parë kundër Larnes, Ballkani e luan të enjten nga ora 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Ndeshja e kthimit zhvillohet pas një jave.
Të enjten, nga ora 17:00, luan edhe Drita. Skuadra nga Gjilani do të ballafaqohet në udhëtim me Audan e Letonisë. Edhe Drita synon kualifikimin në fazën e plejofit të Ligës së Konferencës.
Sulmuesi i krahut i Ballkanit, Almir Kryeziu, pret përkrahje masive nga tribunat e stadiumit “Fadil Vokrri”, i cili për herë të parë hapet për klubet kosovare pas ndërrimit të tërësishëm të barit.
“Besoj se do ta kemi përkrahen e të gjithëve të enjten në stadium, sepse është një motiv shtesë për neve. Kundërshtarin e njohim, sepse e kemi pasur kundërshtar edhe para një viti. Besoj se do ta kalojmë me sukses. Jemi të përgatitur maksimalisht për ndeshjen e parë. Kemi punuar shumë mirë dhe besoj se do t’ia dalim me sukses”, ka thënë Kryeziu të mërkurën për KOHËN.

Derisa kampioni i tri edicioneve të fundit, Ballkani, është në kërkim të paraqitjes së tretë rresht në fazën grupore të Ligës së Konferencës, Drita synon paraqitjen e parë.
Për t’u kualifikuar në fazën grupore të garës së tretë të UEFA-s për nga niveli, Ballkani e Drita duhet t’i eliminojnë edhe nga dy kundërshtarë. Pra ta kalojnë me sukses raundin e tretë kualifikues dhe plejofin.
Ballkani në plejof, nëse kualifikohet, do të përballet me fituesin e ndeshjes ndërmjet skuadrës nga Bjellorusia, Dinamo Minsk dhe skuadrës nga Gjibraltari, Lincoln Red Imps.
Drita do të ketë punë të vështirë, në rast të kalimit në plejof. Do të takohet me fituesin e ndeshjes Brondby - Legia Varshavë.
“Jemi përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje. Është vetëm ndeshja e parë dhe ne do të mundohemi të marrim një rezultat sa më të favorshëm për të qenë më të qetë për ndeshjen e dytë. Kundërshtarin e vlerësojmë maksimalisht. E kemi analizuar dhe vlerësoj se do të jetë ndeshje e vështirë, ku duhet ta japim maksimumin nëse dëshirojmë rezultat pozitiv. Shpresoj shumë se me punë do t’ia arrijmë. Synimet për ne janë ta kalojmë edhe këtë raund garash dhe ta sigurojmë plejofin dhe pastaj të përgatitemi për finalen e fundit”, ka thënë kapiteni i Dritës, Rron Broja.
Llapi e Malisheva u eliminuan më herët.