Futboll

Balaj tërhiqet nga Shqipëria

Bekim Balaj

Sulmuesi i Vllaznisë së Shkodrës, Bekim Balaj, është tërhequr nga Kombëtarja e Shqipërisë, ka njoftuar Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) të mërkurën. Siç njofton FSHF-ja, Balaj ia ka kumtuar vendimin përzgjedhësit Sylvinho dhe drejtuesve të FSHF-së.

Për Shqipërinë, Balaj ka shënuar nëntë gola në 48 ndeshje.

“I pari është edhe më i veçanti, pasi realizimi ndaj Portugalisë dhe fitorja historike e Shqipërisë me golin e Bekim Balajt në ‘Estadio Municipal de Aveiro’ bëri krenar të gjithë shqiptarët kudo në botë, duke i hapur rrugën kualifikimit të parë historik të Kombëtares në Evropianin ‘Francë 2016’. Gjithashtu, Balaj ishte pjesë e Kombëtares në atë Evropian ku u aktivizua në fitoren ndaj Rumanisë me rezultatin 1:0”, shkruan FSHF-ja për momentet më të mira të Balajt me fanellën kuqezi.

Shkodrani 33-vjeçari ka luajtur për shumë skuadra të ndryshme në Çeki, Poloni, Kroaci, Austri, Rusi e Turqi. Për Vllazninë e Shkodrës në edicionin aktual ka shënuar tetë gola në 12 ndeshje.