Labinot Bajrami nuk ka të ardhme tek ekipi i parë i Zuerichut, derisa në krye të ekipit të jetë trajneri Ricardo Moniz. Moniz ka folur para ndeshjes që Zuerichu e luan në shtëpi ndaj Luzernit të dielën nga ora 16:30. Ky ballafaqim i takon xhiros së gjashtë të elitës zvicerane të futbollit.
Mesazhi i dhënë nga trajneri holandez ishte i qartë pas incidentit që ndodhi në ndeshjen e raundit të parë të Kupës së Zvicrës.
“Në ditën kur ndodhi ajo, kam folur atë që e kam menduar dhe nuk ka ndryshuar asgjë”, ka thënë fillimisht Moniz në konferencën për shtyp të premten në mbrëmje.
Zuerichu kishte fituar 2:0 në udhëtim te skuadra Zug dhe kishte avancuar tutje në Kupë. Bajrami nuk i ishte përgjigjur pozitivisht instruksioneve të trajnerit të tij dhe kishte reaguar duke e fyer atë. Moniz më pas e kishte zëvendësuar 19-vjeçarin, vetëm 20 minuta pasi e kishte inkuadruar në fushë. Kjo kishte shkaktuar pakënaqësi edhe te babai i Labinotit, që kishte tentuar ta godasë atë me çadër nga shkallët e stadiumit. Por, nuk e kishte qëlluar.
Trajneri Moniz është pyetur nëse Bajrami ka të ardhme te Zuerichu? Përgjigjja e Monizit ka qenë e menjëhershme, duke thënë se ai nuk ka të ardhme deri sa të jetë në krye të ekipit.
“Shpresoj që të gjendet një zgjidhje për këtë situatë. Por për të nuk ka kthim prapa”, ka thënë trajneri dy javë më vonë. Bajrami vlerësohet me potencial të madh. Ai shpreson se do të mësojë nga incidenti dhe të bëjë “dhjetë hapa para për të ardhmen e tij”.
Bajrami është zhvilluar në futbollin zviceran, ndërsa ka luajtur për gjitha grupmoshat, nga U17 deri në U19.
Aktualisht, Labinot Bajrami po stërvitet me grupmoshën U21 të Zuerichut, me të cilën kishte shënuar 18 gola dhe ishte shpallur golashënuesi më i mirë i ligës në edicionin e kaluar.
Pas paraqitjeve të mira me të rinjtë e Zuerichut, skuadra vendosi ta shpërblejë atë me kontratën e parë profesionale, që i skadon në vitin 2028.