Futboll

Bajrami e Tairi prej futbollistëve më të talentuar në Zvicër

Labinot Bajrami

Labinot Bajrami

“Kush do të jetë Shaqiri i ri?”. Kjo është pyetja që ka bërë gazeta e madhe zvicerane “Blick” në shkrimin ku janë paraqitur pesë futbollistët më të talentuar në Zvicër.

Gazeta e njohur ka shkruar se Zvicra ka probleme me talentet, sipas asaj që kanë treguar studimet e fundit.

“Nuk është ende vonë. Por nëse nuk veprojmë tani, do të jem i brengosur”, ka thënë Patrick Burggman, drejtor i zhvillimit të futbollit në Federatën e Futbollit të Zvicrës.

Ndonëse është paralajmëruar krizë, Zvicra ka talente në të cilat mund të llogarisë. “Blick” ka përzgjedhur pesë prej tyre. Dhe dy janë shqiptarë.

Labinot Bajrami është njëri prej tyre. I lindur në vitin 2005, Bajrami është lojtari i Zuerichut, i huazuar te Winterthuri. Zuerichu e largoi për mungesë disipline.

Zidan Tairi (majtas)

“Lojtarët e numrit nëntë me kualitet ndërkombëtar janë të rrallë në Zvicër. Bajrami i ka të gjitha kualitetet për të mbushur zbrazëtinë një ditë. Pasi u largua nga Zuerichu, ai është shfaqur menjëherë te Winterthuri dhe ishte golashënuesi më i mirë në Ligën Promovuese edicionin e kaluar. Është i gjatë 187 centimetra, por sërish shumë i zhdërvjelltë, me lëvizje të mirë në zonë. Dhe ai ka ‘gjenet për shënimin e golave’”, ka komentuar “Blick”.

Bruno Ogbus, Elio Rufener dhe Felix Emmanuel Tsimba janë po ashtu në listë. Dhe një shqiptar me emër të madh, Zidan Tairi. I lindur në vitin 2007, Tairi luan për Hoffenheimin.

“Një lojtar i jashtëzakonshëm me topin. Magjistar, i tillë që thuajse nuk ekzistojnë këto ditë. Emri i parë i thotë të gjitha. Tairi ofron vepra të vogla arti me veprimet e tij: finte, ndryshime të papritura të drejtimit, lëvizje me intuitë. Dhe ai gjen hapësirat më të vogla. I bën të gjitha këto me një elegancë të pakrahasueshme. Në Hoffenheim ka mësuar që mos të luajë vetëm futboll atraktiv, por që të shfrytëzojë teknikën brilante në të mirë të skuadrës. Nëse do të jetë në gjendje të shpërthejë në Gjermani, mbetet të shihet. Por pasi shpejtësia dhe agresiviteti i tij janë përmirësuar, ka shpresë”, shkruan tutje “Blick” në analizën për pesë futbollistët më të talentuar të Zvicrës.

Në klubet zvicerane numri i futbollistëve shqiptarë vazhdon të jetë i madh. Dhe të tjera talente po dalin e do të dalin edhe në të ardhmen.