Futboll

Bajrami e Asllani pranojnë forcën e Anglisë, premtojnë maksimumin

Bajrami e Asllani pranojnë forcën e Anglisë, premtojnë maksimumin

Futbollistët e Shqipërisë i kanë vazhduar përgatitjet për dy ndeshjet e para kualifikuese për Kupën e Botës 2026. Në ndeshjen e parë, të premten, kuqezinjtë do të sfidohen shumë seriozisht. Në “Wembley” luajnë ndaj Anglisë, që vlerësohet njëra prej përfaqësueseve më cilësore në botë.

Paraqitja e Shqipërisë do të varet shumë nga forma e Kristjan Asllanit e Nedim Bajramit. Ata janë dy prej lojtarëve kryesorë në ekipin e Sylvinhos. Kjo dyshe të martën ishte në konferencë për shtyp.

“Anglia është përfaqësuese shumë e fortë. Është ekip fizik dhe shumë teknik. Lojtarët e Anglisë i njohim shumë mirë. Besoj se nuk duhet të mendojmë shumë, por të luajmë me shpirt e zemër. Të mos shkojmë atje si turistë, pasi gjithmonë kur hyjmë në fushë mendjen e kemi te fitorja. E dimë që është e vështirë, por do të punojmë edhe këto dy-tri ditë dhe do të shkojmë atje me shumë shpirt”, ka thënë mesfushori Kristjan Asllani. Ai po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm tek Interi në Serie A.

Asllani ka thënë se në Kombëtare bëhet fjalë për grupin e lojtarëve e jo për individët.

“Nuk jam këtu për të luajtur vetëm për veten time. Jemi një grup, një skuadër. Në Kombëtare duhet të luajmë të gjithë së bashku. Kemi një ndeshje të vështirë. Po punojmë këto ditë dhe jemi të fokusuar”, ka shtuar Asllani.

Ai vlerëson se mesfusha e Anglisë është shumë e fortë, por ka thënë se gjithë përfaqësuesja angleze është e nivelit të lartë.

“Nëse marrim një pikë do të jetë shumë mirë. Në fushë do të futemi vetëm për fitore”, ka vazhduar 23-vjeçari.

Nedim Bajrami tashmë është më shumë i njohur me futbollin në ishull. Ai po luan për Rangersin në Skoci, por megjithatë jo me shumë sukses.

Te Shqipëria 26-vjeçari vazhdon të jetë shumë i rëndësishëm. Ai thotë se është plotësisht gati për ndeshjen me Anglinë, ndonëse nuk po luan shumë.

“Duhet ta përgatisim ndeshjen shumë mirë pasi e dimë se çfarë kundërshtari është. E dimë se çfarë kualiteti kanë anglezët. Të gjithë djemtë janë gati dhe Sylvinho do ta përgatisë ndeshjen shumë mirë”, është optimist Bajrami.

Ai ka thënë se me kthimin e Armando Brojës “janë gati si asnjëherë më parë”.

Shqipëria e kërkon kualifikimin e parë në Botëror, ndonëse është në grup shumë të fortë. Menjëherë të hënën e ardhshme është ndeshja Shqipëri – Andorrë. Më 7 qershor në Tiranë është ndeshja Shqipëri – Serbi që vlerësohet shumë e rëndësishme. Por fillimisht i gjithë fokusi është te sfida në “Wembleyn” e stërmbushur.

Vazhdojnë përplasjet për biletat

Kanë vazhduar përplasjet lidhur me biletat e ndeshjeve të Shqipërisë. 

Të hënën Tifozat Kuq e Zi akuzuan Federatën Shqiptare të Futbollit se i kanë lënë pa bileta për shkak se dolën kundër Evropianit të përbashkët me Serbinë. 

FSHF-ja doli të martën me një deklaratë përmes së cilës tha se “me sistemin e ri të shitjes së biletave synohet të sigurohet barazi dhe gjithëpërfshirje për të gjithë tifozët shqiptarë”.

FSHF-ja ka njoftuar se të gjitha biletat do të shiten “online”  dhe çdo person mund të blejë deri në katër bileta. 

“Për shumë vjet grupe të ndryshme tifozësh kanë pasur mundësinë të siguronin bileta të rezervuara nga FSHF. Megjithatë, me rritjen e kërkesës për bileta dhe dëshirën për të krijuar një qasje më të hapur për të gjithë tifozët shqiptarë, është vendosur që nga tani e tutje biletat të jenë të qasshme përmes një procesi të drejtë dhe transparent. Ky vendim nuk synon përjashtimin e askujt, por përkundrazi, garantimin e mundësisë për të gjithë tifozët që duan të jenë pjesë e spektaklit të Kombëtares”, shkruan në deklaratën e FSHF-së.

Ndërkohë dy prej grupeve kryesore që përkrahin Shqipërinë, Tifozat Kuq e Zi dhe Illyrian Elite, kanë njoftuar se do të bashkojnë forcat “para sfidave që vijnë”.

“Bashkimi e bën fuqinë e së bashku kemi vetëm dashuri për Kombëtaren, që është më e madhe se pazaret e federatës”, shkruan në qëndrimin e përbashkët të këtyre dy tifo-grupeve.