Leon Avdullahu është një tjetër futbollist shqiptar që po bën emër në futbollin zviceran, përkatësisht te skuadra e Baselit. Avdullahu luan në pozitën e mesfushorit defensiv dhe është 21-vjeçar.
Te Zvicra besojnë shumë në talentin e tij. Avdullahu tashmë ka luajtur 28 ndeshje me ekipin e parë të Baselit, ndërsa e ka një gol të shënuar. Është po ashtu kapiten i Zvicrës U21, me të cilën aktualisht është në Marbella të Spanjës për kamp stërvitor.
Avdullahu thotë se ka prej kujt të marrë shembuj të mirë, kur bëhet fjalë për shiritin e kapitenit.
“Mendoj se si kapiten unë duhet që ta shtroj rrugën para. Si lojtar kyç, duhet ta bëj ekipin e bashkuar dhe t’i udhëheq lojtarët”, ka thënë mesfushori Avdullahu në një intervistë të gjatë për mediumin zviceran “Bluewin”. “Kjo është diçka e re për mua. Ajo që edhe te Baseli prisnin nga unë. Të merrja përgjegjësi”.
Te Baseli ai i ka disa mentorë prej të cilëve mëson shumë, përfshirë Xherdan Shaqirin dhe Taulant Xhakën, të cilët janë shembuj për lojtarët e rinj. Nga ta, Avdullahu ka mësuar që të marrë përgjegjësi edhe jashtë fushës – sidomos kur gjërat nuk shkojnë mirë.
Për këtë është e rëndësishme që ai t’u flasë bashkëlojtarëve te Zvicra U21.
“Nëse lojtarët e kanë një shqetësim, nëse ata nuk ndihen mirë, mund të vijnë tek unë në çdo kohë. Nëse është e mundur, unë mundohem t’u ndihmojë të gjithëve”.
Avdullahu për kohë të gjatë është i njohur me rolin e kapitenit dhe liderit.
“Kam qenë shpesh kapiten në përfaqësuese dhe shpesh kam marrë përgjegjësi te Baseli, edhe me grupmoshën e juniorëve”.
Në njërën anë kjo përshtatet me karakterin e tij, por është edhe pozita tipike e numrit gjashtë.
Në Marbella të Spanjës, Avdullahu do të ballafaqohet edhe me yjet e Përfaqësueses U21 të Anglisë.
Tek Anglia luajnë lojtarë që bëjnë karrierë në skuadra të mëdha. Rico Lewis është te Manchester City, Jamie Gittens te Borussia Dortmundi, Harvey Elliot te Liverpooli e shumë emra tjerë.
“Duhet padyshim që të luajmë mirë ndaj Anglisë”, thotë Avdullahu, i cili për momentin është i fokusuar te Baseli. Por, në të ardhmen synon që të jetë pjesë e La Ligas në Spanjë.
Te Përfaqësuesja U21 e Zvicrës janë shumë lojtarë që luajnë në elitën helvetike. Avdullahu shumicën prej tyre i njeh, por tregon për dallimet në nivel klubesh dhe përfaqësuesesh.
“Shumicën prej tyre i njoh nga grupmosha U20. Shumë prej tyre sillen ndryshe në fushë për dallim kur janë jashtë saj. Edhe unë jashtë fushës jam shumë i qetë, por brenda në fushë jam shumë agresiv”, ka deklaruar mesfushori.
Avdullahu është zhvilluar si futbollist te Baseli, ndërsa ka luajtur për të gjitha grupmoshat e Zvicrës.