Futboll

Avdijaj synon Kupën e Austrisë me Hartbergun

Donis Avdijaj - Hartberg

Sulmuesi kosovar, Donis Avdijaj, ka zbuluar synimet që ka me skuadrën e Hartbergut në garën për Kupë të Austrisë. Ai ka thënë se janë rritur synimet pas kalimit në çerekfinale të Kupës austriake në futboll. 
Avdijaj ka shkëlqyer të martën mbrëma. Ai shënoi dy gola në fitoren 3:0 të Hartbergut kundër Lustenaut, në kuadër të 1/8 së finales të Kupës së Austrisë. 

“Kur je afër finales, pa dyshim që dëshiron të bësh gjithçka. Ky është qëllimi i të gjithë neve. Nëse jeni në çerekfinale, mund të synosh më lart”, ka thënë Avdijaj, shkruan “kleinzeitung.at” të mërkurën.
Me dy golat kundër Lustenaut, 28-vjeçari tashmë ka gjashtë gola këtë edicion në Kupë të Austrisë. Ai ka edhe tri asistime. 

Ka edhe një gol dhe tri asistime në dhjetë ndeshje në Bundesligë të Austrisë.

“Gjithmonë e kam thënë se nuk duhet t’i fshihemi asnjë kundërshtari”, ka theksuar Avdijaj duke kërkuar më shumë respekt nga kundërshtarët. 

“Mund të besojmë në cilësitë tona. Ne kemi dëshmuar se mund t’i bëjmë ballë secilës skuadër”.

Edhe trajneri i Hartbergut, Manfred Schmid, nuk fsheh synimet e mëdha.

“Tani jemi të lumtur që jemi në tetëshen e fundit. Ekipi punon mirë, të gjithë luftojnë për njëri-tjetrin dhe ne kemi treguar se mund të luajmë futboll të mirë”, ka thënë Schmid.

Hartbergu ka arritur tri herë në gjysmëfinale. Në vitin 1995, në vitin 2012 dhe së fundmi në vitin 2022. Në vitin 2022 humbi 2:1 nga Riedi. 

Avdijaj ishte pjesë e ekipit austriak në atë ndeshje. Tani kërkon të paraqitet në finale me ekipin e tij.

Sulmuesi që në të kaluarën ka luajtur për Kosovën, për herë të parë Hartbergut iu bashkua në vitin 2021. Është kthyer në ekipin austriak në vitin 2023. Ka luajtur edhe për shumë klube të tjera evropiane. Ka qenë edhe te skuadra e madhe gjermane, Schalke.Për Kosovën në gjashtë ndeshje ka shënuar dy gola. Para se t’i bashkohej Kosovës, Avdijaj luajti për grupmoshën U16, U17 dhe U19 të Gjermanisë. Për U17 e Gjermanisë pati shënuar dhjetë gola në 13 ndeshje. Te Kosova nuk ftohet për shkak të një shkeljeje të rregullave disiplinore.