Donis Avdijaj ndalet disa sekonda para se të përgjigjet në pyetjen rreth synimeve që ka për të ardhmen. Nuk zbulon shumë.
“E shoh me sukses, duke qeshur, duke dhënë gola. Ku, nuk i dihet. Është vështirë të themi tash”, ka thënë Avdijaj të martën për KOHËN.
Qartë, që Avdijaj nuk e di se çfarë sjell e ardhmja. Por nuk e fsheh që dëshirën për t’u kthyer te Kosova dhe në Bundesligën gjermane e ka të madhe.
“Në Bundesligë e kam filluar, por nuk ka ecur ashtu siç e kam paramenduar dhe sigurisht që dëshira është të kthehem dhe t’iu them se ‘ja ku jam’ dhe ‘ai që kam dashur të jem gjithmonë’”, është shprehur sulmuesi.
Avdijaj është në formë të mirë. Në fundjavë shënoi “hat-trick” në fitoren e rëndësishme të Hartbergut në elitën e futbollit të Austrisë.
“Për një lojtar ofensiv nuk ka ndjenjë më të mirë se të shënojë gola. Kur shënon tre gola gjatë një ndeshjeje, kënaqesh edhe më shumë”, është shprehur ai.
27-vjeçari ka dhjetë gola e gjashtë asistime në 22 ndeshje në Bundesligën e Austrisë. Synon edhe më shumë gola.
“Prej se kam nisur të luaj futboll, shënimin e golave e kam pasur një armë të fortë. Nuk është aq lehtë, por ku ke sukses, vërtetohen edhe të mirat. Sulmuesi luan për ta ndihmuar ekipin me gola. Jam i kënaqur me formën që po kaloj”.
Avdijaj në Hartberg nuk po luan sulmues. Po luan më i tërhequr, por kontributi për ekipin nuk i ka munguar.
“Besoj se do të jap edhe më shumë gola. Nuk po luaj në sulm, po luaj prapa sulmuesve. Por unë jam një lojtar që kërkoj të mbërrij sa më shpejt te goli. Kanë mbetur edhe tri ndeshje në kampionat dhe do të mundohem të jap sa më shumë gola për ta shtuar kontributin për klub”, është shprehur ai.
Avdijaj iu bashkua Hartbergut në gusht të vitit të kaluar pas një periudhe jo të gjatë te Zuerichu zviceran. Me ekipin elitar të Austrisë ka kontratë deri në qershor të vitit 2025. Por ai lë të kuptohet se largimi nga ekipi austriak mund të vijë më shpejt.
“Pas këtij sezoni dhe sezonit të kaluar që kanë qenë të suksesshëm, do të mundohem të shkoj sa më lart që mundem. Pas këtij sezoni ka gjasa të eci më suksesshëm”.
Avdijaj është gjykuar për ndërrimin e shpeshtë të ekipeve. Ai u përgjigjet kritikëve.
“Shumë njerëz kanë thënë që ka ndërruar shumë ekipe. Kanë të drejtë, sepse ashtu është, por për mua me rëndësi është të mos shkoj diku të nënshkruaj kontratën dhe të ulem në bankë. Unë kam dëshirë të luaj. E rëndësishme për mua është të shkoj në një klub ku mund ta tregoj veten. Siç po e bëj aktualisht”, është shprehur Avdijaj.
Avdijaj ka luajtur për Schalken, Sturm Grazin, Rodën, Willem II, Trabzonsporin, Heartin, Emmenin, AEL Limassolin, Zuerichun dhe Hartbergun.
Dikur vlerësohej një prej talentëve më të mëdhenj në Gjermani. Si i ri fitoi rastin të bëhej pjesë e ekipit të parë te Schalke. Në Bundesligën e Gjermanisë luajti nëntë ndeshje, ndërsa shënoi dy gola.
Pranon se gjatë rrugës ka bërë gabime.
“Nuk jam dorëzuar asnjëherë, kam luftuar për t’iu treguar se edhe pse bën gabime, lojtari përmirësohet dhe piqet më shumë”.
Ai vlerëson se është mjaftueshëm i pjekur për t’u kthyer te Kosova. Avdijaj dhe përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, e njohin mirë njëri-tjetrin. Në të kaluarën kanë punuar bashkë te Zuerichu dhe Sturm Grazi.
“E njoh shumë mirë. Ne kemi punuar, jo vetëm një herë bashkë. Ai ka qenë trajneri që mua vjet më ka marrë në Zuerich dhe kam raporte të mira. Momentalisht e kam lënë rehat, sepse i ka pasur punët e veta për t’i kryer. FFK-ja ka marrë vendim shumë të mirë. U vërejt në ndeshjet e fundit. Por mua më mbetet ta përfundoj sezonin dhe të shohim”, ka thënë Avdijaj.
Ai vlerëson punën e Fodas dhe të lojtarëve të Kosovës. Thotë se është i gatshëm të japë kontributin e tij për Kosovën.
“Secili lojtar i Kosovës është lojtar që ka karrierën e vet, që luan mirë në ekip. Secili lojtar që dëshiron të luajë për Kosovën, që jep zemrën për ekipin, është fitimtar. Unë besoj që kam kualitet që i duhet ekipit, por nuk është vendimi im në fund. Për këtë temë duhet të bisedojmë. Por jam i gatshëm gjithmonë. Ende nuk është folur për këtë punë”.
Për Kosovën, Donis Avdijaj ka shënuar dy gola në gjashtë ndeshje. Nuk është ftuar nga ndeshja me Maltën, në nëntor të vitit 2018.