Për shtatë vjet si futbollist senior, Donis Avdijaj, ka luajtur për 11 ekipe në karrierë. 28-vjeçari në verë pritet të bëhet me ekip të ri – të dymbëdhjetin në karrierë. Por ai mund të largohet si hero nga Hartbergu, ekip të cilit iu kthye në vitin 2023. Për Avdijajn, finalja e 1 majit ndaj Wolfsbergerit, do të jetë e para në karrierë. Paraqitja në finale të Kupës do të jetë për herë të parë edhe për klubin e Avdijajt, Hartbergun.
Në fakt, Avdijajt i figuron një Kupë e fituar me Trabzonsporin. Por Avdijaj nuk ishte pjesë e Trabzonsporit në finale të Kupës turke, të cilën e fitoi 2:0 në korrik të vitit 2020. Ishte larguar në janar të atij viti.
Avidjaj ka shkëlqyer me paraqitje te skuadra e Hartbergut në ndeshjet e Kupës. Shënoi shtatë gola e gjashtë asistime në pesë ndeshje. Avdijaj ka edhe katër gola e shtatë asistime në 26 paraqitje të Bundesligës austriake.
Në ndeshjen e gjysmëfinales, Avdijaj e shënoi golin e fitores ndaj favorites, Austria Vjenës, në fitoren 1:0. Tifozët e Hartbergut shpresojnë që sulmuesi të jetë edhe hero i finales së Kupës austriake.
“Kemi treguar mentalitet të jashtëzakonshëm në garën për Kupë. Të gjithë në skuadër e kanë kryer punën siç duhet, nga ndeshja e parë deri në arritjen në finale. Ishim të përqendruar, kemi luajtur taktikisht me disiplinë të madhe dhe kemi qëndruar të bashkuar edhe në momentet e vështira. Mendoj se kjo na ka bërë të fortë në këtë sezon të Kupës”, ka shpjeguar Avdijaj në një intervistë dhënë për “Transfermarkt” të enjten.
Hartbergu është vlerësuar edhe me fat. Kjo skuadër ka shmangur ekipet e Bundesligës austriake deri në çerekfinale, pas shortit të mirë që pati.
Ekipi i Avdijajt, që dikur ka luajtur edhe te Kosova duke realizuar dy gola në gjashtë ndeshje, nuk e ka luajtur para shikuesve të vet në këtë edicion të Kupës. Por, kujtimet që ka nga stadiumet në udhëtim, Avdijaj do t’i marrë përgjithmonë me vete, thotë 28-vjeçari.
“Momentet si ato janë pikërisht pse e duam këtë sport. Janë rrëqethëse, jo vetëm për shkak të golave, por e kam ndier se çfarë do të thonë për klubin, tifozët. Jam krenar që jam pjesë e tyre”.
Dikur, Avdijaj vlerësohej talent i madh. Në Bundesligën U17 me Schalken, ai kishte shënuar 44 gola në vitin 2013.
“Për mua triumfi do të ishte i jashtëzakonshëm, ndërsa për klubin, historik. Trofeu do të përmbushte gjithë punën e madhe të bërë në muajt e fundit. Trofetë mbesin në fund edhe në zemër”.
Avdijaj te Hartbergu kaloi nga Zurichu dhe ka 35 gola në 26 paraqitje. Ai thotë se ende ka çfarë të japë nga vetja në nivele të larta. Nëse Hartbergu e fiton Kupën, do ta siguronte edhe paraqitjen në Ligën e Evropës. Do të ishte paraqitja e dytë për këtë skuadër pas edicionit 2020/21. Edhe nëse kualifikohet në kupat evropiane me Hartbergun, Avdijaj e lë të hapur largimin në verë.
Mediumi “Sky” ka raportuar ditë më parë se Hull City nga Championshipi anglez dhe Orlando City i ligës MLS, kanë shprehur interesim për të. Por, Avdijaj ëndërron kthimin në Gjermani.
Përveç Schalkes, Zurichut dhe Hartbergut, Avdijaj karrierë ka bërë edhe te Sturm Grazi, Roda, Willem II, Trabzonspori, Heartsi, Emmeni e AEL Limassoli.
Ai ka paraqitje edhe me grupmoshat U16, U17 dhe U19 të Gjermanisë.