Thuajse në çdo fundjavë, ndonjë futbollist shihet i gjakosur pas ndonjë lëndimi në kokë apo fytyrë. Por në barazimin 1:1 të Hartbergut kundër Grazerit, në xhiron e 28-të të Bundesligës austriake, ka qenë trajneri i skuadrës vendëse që e pësoi një lëndim të tillë. Madje nga Donis Avdijaj.
Grazeri shënoi gol në minutën e tetë por ka qenë VAR-i që e anuloi golin e tij për pozitë jashtë loje.
Skuadra e Hartbergut vetëm një minutë më vonë kaloi në epërsi.
Donis Avdijaj 28-vjeçar, që ka gjashtë ndeshje me Kosovën e dy gola të shënuar, bëri asistim të përkryer për mesfushorin Dominik Prokop, që shënoi për 1:0 në të mirë të Hartbergut.
Avdijaj ishte shumë i lumtur me asistimin e tij dhe vrapoi te trajneri Manfred Schmid dhe e përqafoi atë.
Më pas, skena e festës u kthye në lëndim për trajnerin e Hartbergut.
Bashkëlojtari i Avdijajt, Furkan Demir, u hodh mbi Avdijajn dhe Schmidin.
Koka e Avdijajt u përplas me atë të trajnerit të tij dhe Schmid u gjakos.
Pas ndeshjes, trajneri i skuadrës vendëse foli për atë rast.
“E kam ditur se Avdijaj është kokëfortë në karakter, por nuk e dija që e ka edhe kokën aq të fortë. Do të flasim për këtë më vonë”, ka deklaruar Schmid me shaka pas pikës së fituar.
Schmid ka qenë futbollist i Austria Vjenës në të kaluarën dhe ka fituar tre tituj dhe tri Kupa të Austrisë në karrierë. Ka pësuar edhe disa lëndime, por asnjëherë si trajner.
Avdijaj është prej lojtarëve kryesorë të skuadrës së Hartbergut me 11 gola e 14 asistime në 32 paraqitje në të gjitha garat.
Të enjten me Hartbergun e ka rastin ta fitojë trofeun e parë, pasi në finale të Kupës së Austrisë luan ndaj Wolfsbergerit.