Futboll

Atleticon e pret ndeshja e rëndësishme me Barçën

Simeone

Atletico Madridi nuk ka shumë kohë për të vajtuar eliminimin e dhimbshëm nga Liga e Kampionëve. Ndeshje tjetër vendimtare e pret skuadrën e Diego Simeones të dielën, nga ora 21:00. Në “Metropolitano”, Atletico takohet me Barcelonën, në derbin e xhiros së 28-të të La Ligas.

Gara për titull të kampionit të Spanjës është shumë e fortë, ndërsa ndeshja e së dielës mund të ketë ndikim të madh.

Barcelona është lidere me 57 pikë nga 26 ndeshje. 57 pikë, por me një ndeshje më shumë, i ka Real Madridi. Atletico është e treta me 56 pikë nga 27 ndeshje.

Atletico Madridi vështirë se mund të përballojë një humbje të dielën, ndërkohë që duhet ta kalojë sa më shpejt humbjen torturuese nga Real Madridi, të pësuar të mërkurën në Champions.

Atletico humbi në penallti, ndërsa goditja nga pika e bardhë e Julian Alvarezit u anulua për prekje të dyfishtë. Vetëm pasi situata u rishikua në VAR u pa se Alvarez preku topin me këmbën mbështetëse para se të kryente goditjen. Kishte shumë reagime për atë penallti të anuluar, por tani skuadrat u janë kthyer sfidave të ardhshme.

Simeone ka pranuar se Barcelona mund të ketë avantazh fizik dhe emocional, pasi skuadra e Hansi Flick kishte një ditë më shumë pushim dhe e kaloi lehtë ndeshjen e dytë të një të tetës së finales në Champions.

“Përballemi me një rival të madh të dielën. E imagjinoj që lojtarët e Barcelonës kanë dashur që ndeshja jonë të shkojë sa më larg, që të gjuhen penallti. Do të jemi të lodhur pasi zhvilluam luftë të fortë në një ndeshje ku i lamë të gjitha. Por do të japim sërish çdo gjë”, ka thënë Simeone.

Me Barçën, Atletico ka bilanc pozitiv këtë edicion. Ka fituar 2:1 në ligë, ndërsa barazoi 4:4 në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Mbretit. 

Por Barça është në seri prej 17 ndeshjeve pa humbje, që nga ajo disfatë nga Atletico në fund të dhjetorit. Dy skuadrat do të përballen edhe muajin e ardhshëm për të përcaktuar se kush kalon në finale të Kupës së Mbretit.

Udhëtim i vështirë e pret edhe Real Madridin, që të shtunën nga ora 18:30 luan me Villarrealin.

Villarreali është i pesti me 44 pikë dhe është ende në garë për kualifikim në Champions.