Karriera e Atdhe Nuhiut si trajner po zhvillohet hovshëm. 35-vjeçari vetëm në tetor të vitit të kaluar i dha fund karrierës si futbollist për të vazhduar menjëherë si ndihmëstrajner te skuadra austriake, Altach. Tek Altachu edhe ka luajtur prej verës së vitit 2021.
Ndërkohë prej të hënës ish-sulmuesi shtatlartë është edhe pjesë e shtabit teknik të përfaqësueses A të Kosovës në futboll. Nuhiu do të jetë njëri prej ndihmësve të selektorit Franco Foda. Te Kosova do të angazhohet gjatë aktiviteteve të përfaqësueses, ndërsa do të vazhdojë të jetë ndihmëstrajner tek Altachu austriak.
Federata e Futbollit e Kosovës së fundi ka nisur me angazhimin e ish-lojtarëve të Kosovës në pozita të rëndësishme në përfaqësuese. Ish-portieri Samir Ujkani është zëvendësdrejtor i përfaqësueses A të Kosovës. Një javë më parë ish-mesfushori Hekuran Kryeziu u emërua ndihmëstrajner te Kosova U21, ndërsa ish-kapiteni Anel Rashkaj u emërua ndihmëstrajner te Kosova U19.
Klubi austriak Altach ka shkruar për pozitën e re të Nuhiut, duke njoftuar që është pajtuar ta lirojë trajnerin gjatë ndeshjeve ndërkombëtare. Nuhiu do të grumbullohet për herë të parë si trajner i Kosovës në mesin e marsit. Kosova më 20 e 23 mars i luan ndeshjet me Islandën, të vlefshme për plejofin e Ligës së Kombeve.
“Është nder i madh për mua të jem pjesë e ekipit të trajnerëve të Kosovës. Dua të falënderoj Altachun që më dha këtë mundësi. Në të njëjtën kohë jam plotësisht i vetëdijshëm për përgjegjësitë në Altach dhe do të vazhdoj të bëj çdo gjë që rruga jonë e përbashkët të jetë e suksesshme”, ka thënë Nuhiu.
Drejtori sportiv i Altachut, Roland Kirchler, ka folur po ashtu për krenarinë që sjell kontributi për vendin.
“Atdheu erdhi te ne me dëshirën për të marrë rol në vendin e tij, pos atij te Altachu. E di nga përvoja personale se çfarë nderi është të jesh në gjendje të prezantosh vendin tuaj dhe ne nuk kemi dashur t’ia mohojmë këtë mundësi. Atdheu punon për klubin tonë çdo ditë me përkushtim të jashtëzakonshëm dhe me profesionalizëm. Dhe jemi të bindur se asgjë nuk do të ndryshojë në këtë drejtim”, ka thënë Kirchler.
Altachu aktualisht është i fundit në Bundesligën e Austrisë.
Nuhiu ka bërë karrierë si sulmues edhe në skuadrat austriake Wels, Austria Karnten, Ried e Rapid Vjena. Ishte edhe tek Eskishehirspori në Turqi, Sheffield Wednesday në Angli dhe APOEL-i në Qipro. Luajti për U19, U20 e U21 të Austrisë. Pasi nuk e ftoi Austria A, iu bashkua Kosovës. Në 19 ndeshje, nga viti 2017 deri në vitin 2021, i shënoi tri gola.
LEXO EDHE: