Futboll

Atalanta entuziaste, synon ta mbyllë vitin si lidere

Atalanta

Deri në fund të vitit 2024, Atalanta  i ka edhe dy ndeshje në Serie A.

Të dielën nga ora 18:00 luan në shtëpi ndaj Empolit, ndërsa më 28 dhjetor nga ora 20:45 luan në udhëtim te Lazio.

Ekipi i drejtuar nga trajneri Gian Piero Gasperini synon që t’i fitojë të dyja ndeshjet e të hyjë në vitin 2025 si lidere e Serie A.

Atalanta aktualisht i ka 37 pikë në vendin e parë. Ka dy pikë më shumë se Napoli e tri më shumë se Interi që e ka një ndeshje më pak të luajtur.

“Zikaltërit” janë në ecuri prej 10 fitoreve në ligë, që është rekord i klubit ku luan Berat Gjimshiti, kapiteni i Shqipërisë.

Atalanta arriti edhe në çerekfinale të Kupës së Italisë në mesjavë, pas fitores 6:1 ndaj Cesenas së Serie B.

Napoli i Amir Rrahmanit luan të shtunën nga ora 18:00 në udhëtim te Genoa, ndërsa xhiron e 17-të të elitës italiane e mbyll ndeshja Inter – Como, të hënën nga ora 20:45.

Juventusi luan në udhëtim te Monza, të dielën nga ora 20:45.