Përfaqësuesja e Suedisë ka marrë një pikë nga udhëtimi tek Anglia në “Wembley” të premten mbrëma.
Ndeshja u mbyll 1:1 ndërsa u takoi kualifikimeve për Evropianin e vitit të ardhshëm.
Fridolina Rolfo e shënoi golin e barazimit, me asistimin e zëvendësueses Rosa Kafaji.
20-vjeçarja e zëvendësoi Kosovare Asllanin në minutën e 62-të.
“Nuk mund të luajë përgjithmonë. Ndoshta nuk do të luajë aq sa luajti Caroline Seger. Është e rëndësishme që të kemi gjeneratë të re. Dhe ato që inkuadrohen në lojë kanë teknikë dhe sulmojnë mirë”, ka thënë Asllani, shkruan të shtunën mediumi “Fotbollskanalen”.
Megjithatë, kapitenia e skuadrës nuk është e kënaqur krejtësisht me futbollistet e reja.
“Sulmi është mirë, por mbrojtja duhet të punojë më shumë. Ende është në rritje. Por nëse e sheh në tërësi, kjo e kompleton një futbolliste. Nuk është vetëm faza ofensive, duhet edhe që të mbrohesh”, ka thënë Asllani.