Zëvendësuesi Jasir Asani shënoi gol me kontaktin e parë me topin, për t’ia siguruar skuadrës jugkoreane, Gwangju fitoren 1:0 ndaj skuadrës kineze Shanghai Shenhua. Me fitoren e së mërkurës, ekipi nga Koreja e Jugut mbeti i dyti në tabelë në stinorin e rregullt të Ligës së Kampionëve të Azisë.
Reprezentuesi i Shqipërisë, Asani, është golashënuesi më i mirë në Championsin aziatik. I ka shtatë gola në pesë ndeshje. Në ndeshjen e së mërkurës shënoi në minutën e 58-të, një minutë pasi hyri në lojë në vend të Oh Hu-seong.
“I thashë trajnerit se nëse hyj, do të shënoj me prekjen e parë, pasi e kam ndjenjën që mund të kem shans për të realizuar”, ka thënë Asani pas ndeshjes, shkruan “Reuters”.
“Më duhet të shënoj më shumë për ta ndihmuar ekipin të fitojë tri pikët”, ka shtuar sulmuesi i krahut.
Fitorja e mbajti skuadrën Gwangju në vendin e dytë me 12 pikë. Vissel Kobe nga Japonia udhëheq në grupin e lindjes me 13 pikë. Në grupin e lindjes janë 12 skuadra nga Japonia, Koreja e Jugut, Kina, Tajlanda, Australia e Malajzia. Në grupin e perëndimit janë skuadrat nga Arabia Saudite, Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe, Irani, Uzbekistani e Iraku.
Asani shënoi “hat-trick” në fitoren 7:3 ndaj Yokohamas së Japonisë në xhiron e parë. Më pas shënoi për fitoren 1:0 të Gwangju ndaj Kawasaki Frontale po ashtu të Japonisë. Në xhiron e tretë i realizoi dy gola në fitoren 3:1 ndaj Johor Darul Ta’zim të Malajzisë. Dhe shënoi sërish të mërkurën menjëherë pas aktivizimit. Ai shënoi me goditje të bukur nga zona. Pra ka realizuar në të gjitha katër fitoret e skuadrës nga Koreja e Jugut.
Anderson Lopes i Yokohamas dhe Matias Vargas i Shangahit i kanë nga pesë gola. Superylli Cristiano Ronaldo është njëri prej lojtarëve me nga katër gola.
Asani është i rëndësishëm edhe te Shqipëria. Ka shënuar disa supergola, por i mungoi efikasiteti në ndeshjet e fundit. Golat në Championsin aziatik mund t’i ndihmojnë për të siguruar transferim në ndonjë top-ligë evropiane.