Trajneri Mikel Arteta ka thënë se është i dëshpëruar që Arsenali nuk ia doli të bëjë asnjë transferim në afatin kalimtar të janarit, ndërsa ka lavdëruar disiplinën e klubit.
Është pritur që Arsenali të transferojë një sulmues pasi Gabriel Jesus pësoi lëndim që e lë jashtë deri në fundt të edicionit. Ndërkohë Bukayo Saka pritet ende që të kthehet.
“Ne kemi synim të qartë që gjithnjë është që kur të hapet afati kalimtar të eksplorojmë mundësinë për të përmirësuar skuadrën tonë me lojtarë që mund të kenë ndikim”, ka thënë Arteta pas ndeshjes së dytë gjysmëfinale të EFL Cup që Arsenali e luan të mërkurën ndaj Newcastle Unitedit.
“Lëndimet që kemi natyrisht se ndikojnë, ndërsa nuk e kemi arritur synimin. Jemi të dëshpëruar në këtë drejtim, por në të njëjtën kohë jemi të vetëdijshëm që kemi dashur të transferojmë vetëm disa lloj lojtarësh dhe duhet të jemi shumë të disiplinuar me këtë po ashtu. Mendoj se edhe ishim. Kërkojmë lojtarët që besojmë se mund të na bëjnë shumë më të mirë. Financiarisht ka shumë mënyra, shumë gjëra që ne duhet t’u përmbahemi. Kjo na solli kaq larg, prandaj përpiqemi të përmirësohemi”, ka shtuar Mikel Arteta.
Eksperti i financave në futboll, Kieran Maguire shpjegoi se mungesa e lëvizjeve nga Arsenali u bë në kohën kur tregu është i vështirë për blerësit.
“Sa i përket tregut për nivelin të cilin e kërkon Arsenali, ka relativisht pak lojtarë”, ka thënë Maguire.
“Liga e Kampionëve dhe Liga e Evropës u zhvillua deri në janar, kështu që klubet hezituan të shesin. Nëse Arsenali dëshiron të rekrutojë, klubi duhet të hyjë në treg të rrallë. Mendoj se te Arsenali vlerësuan se nuk kishte lojtar në dispozicion që do të përmirësonte përbërjen fillestare apo 16-shen e parë të skuadrës”.
Arteta ka theksuar se vija e sulmit të Arsenalit duhet të jetë fleksibile. Ai paralajmëroi se do të detyrohet të provojë diçka ndryshe për shkak të lëndimeve.
Tre lojtarë janë larguar nga Arsenali në janar. 17-vjeçari Ayden Heaven u transferua te Manchester Unitedi, ndërsa mbrojtësi tjetër, 20-vjeçari Josh Robinson kaloi te Wigan Athletic. Sulmuesi brazilian Marquinhos iu bashkua Crueziros në formë huazimi deri në fund të edicionit.
Arsenali është i dyti në Premier League, gjashtë pikë prapa Liverpoolit që ka një ndeshje më pak të zhvilluar. Skuadra londineze në fundjavë e “shkatërroi” Manchester Cityn, 5:1.