Futboll

Arsenalit i lëndohet rëndë kapiteni

Martin Odegaard

Kapiteni i Arsenalit, Martin Odegaard, pritet të mungojë të paktën tre javë pas lëndimit në nyjën e këmbës, ka njoftuar një anëtar i stafit mjekësor të Norvegjisë.

Ola Sand ka thënë se mund të mos ketë thyerje në nyjën e këmbës së Odegaardit, por ka shtuar se lëndimi është i rëndë. 

Odegaard u lëndua teksa ishte i angazhuar me Norvegjinë. 

Norvegjia të hënën fitoi në shtëpi ndaj Austrisë 2:1, në ndeshjen e Ligës B3. Odegaardi u detyrua të largohej nga loja në minutën e 67-të. 

“Lëndimet e tilla të nyjës së këmbëve marrin kohë tre javë deri në shërimin e plotë. Madje do të ishte bonus nëse ai nuk do të mbetej jashtë fushës për më gjatë”, ka theksuar Sand të mërkurën për gazetën norvegjeze “VG”. 

Nëse Odegaardi mungon në këtë kohë, ai nuk do të luante në udhëtim tek Atalanta në Ligën e Kampionëve, por edhe ndaj rivalit për titull, Manchester Cityt, më 22 shtator. 

Arsenali në këtë fundjavë luan në udhëtim te Tottenhami.