Disa ditë pasi deklaroi “simpatinë” dhe respektin për Pep Guardiolan, trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka folur me shumë respekt për një tjetër trajner spanjoll me ndikim, me të cilin do të përballet në Ligën e Kampionëve të martën.
Luis Enrique do ta udhëheqë Paris Saint-Germainin në “Emirates Stadium” të martën prej orës 21:00, në ndeshjen më interesante të xhiros së dytë të Ligës së Kampionëve.
Arteta dhe Enrique ishin së bashku te Barcelona në fund të viteve 1990 dhe në fillim të viteve 2000. Trajneri i Arsenalit ishte në fillim të karrierës si lojtar, ndërsa karriera e Enriques po shkonte drejt fundit.
Arteta ka thënë se ka mësuar shumë gjëra nga Enrique si lojtar e tani si trajner. Arteta tha të hënën se Enrique “sjell buzëqeshje në fytyrën e tij”.
“Jam admirues i madh i tij. E mbaj mend personalitetin e tij, karakterin e jashtëzakonshëm, energjinë, përkrahjen e madhe për lojtarët e rinj. Ajo që më pëlqen lidhur me të është se kudo që ishte, si lojtar apo si trajner, ka lënë gjurmë të pashlyeshme. Ju mund të shihni që është ekip i tij. Ju mund të shihni që Parisi është ekip i tij”, ka thënë Arteta, duke mos ndalur lavdet për trajnerin tjetër spanjoll.
“Ai ka këtë energji të jashtëzakonshme. Më pas është qasja e tij ndaj jetës, profesionit. Është diçka që mund të merret shembull dhe unë kam mësuar shumë gjëra prej tij”, ka shtuar trajneri i Arsenalit.
Arteta kaloi shumë kohë javën e kaluar duke folur për Pep Guardiolan dhe Manchester Cityn, pas barazimit 2:2 në derbin e madh anglez. Ky barazim duket se ndezi rivalitetin mes dy ekipeve.
Ai për kohë të gjatë është parë si i përkëdheluri i Guardiolës, por duket që edhe Enrique ka pasur ndikim në Artetan.
“Më pëlqen sinqeriteti i tij. Ai të shikon në sy dhe të thotë çka mendon. Mendoj se lojtarët në fund e çmojnë këtë”, ka theksuar Arteta.
Ai kishte periudhë huazimi njëvjeçar te PSG-ja në edicionin 2000/01, ndërsa luajti me lojtarë si Ronaldinho e Nicolas Anelka. Sipas Artetas, PSG-ja është ekipi i nivelit më të lartë që mund të gjesh në futbollin evropian.
Ekipi i Enriques udhëheq në ligën franceze me pesë fitore e një barazim në gjashtë xhirot e para. Në Champions, Parisi nisi me fitore shumë të vështirë ndaj Gironas, 1:0. Sfida u vendos nga një autogol i minutës së 90-të.
Arsenali e nisi kampanjën në Champions me barazimin pa gola ndaj Atalantas në Bergamo të Italisë. Tani e kërkon fitoren e parë.
Te Parisi janë të vetëdijshëm se në Londër i pret ndeshje e vështirë.
“Është shumë vështirë të luash ndaj Arsenalit. Për ne është ndeshje shumë e rëndësishme. Janë tri pikë të rëndësishme, sidomos me formatin e ri të Championsit. Ekipi ynë është shumë i bashkuar, luajmë si grup. Kjo është arma e këtij ekipi dhe do ta shohim këtë nesër”, ka thënë Achraf Hakimi, mbrojtësi i PSG-së.
Enrique po ashtu ka folur me respekt për Artetan.
“Kam punuar tashmë me Mikel Artetan. Ishim bashkëlojtarë te Barcelona për një edicion dhe kam shumë kujtime të mira nga ai. Mezi pres ta takoj atë nesër, të jem në gjendje të flas me të. Është njëri prej trajnerëve më të mirë aktualisht dhe e ka ndryshuar plotësisht Arsenalin. Trajner i shkëlqyer dhe njeri i shkëlqyer”, ka thënë Enrique.
Në Premier League, Arsenali po zhvillon garë të fortë me Liverpoolin, Manchester Cityn e Chelsean. Liverpooli udhëheq me 15 pikë pas gjashtë xhirosh. City e Arsenali i kanë nga 14, kurse Chelsea e Aston Villa nga 13.
Të martën mbrëma do të jenë plot nëntë ndeshje të xhiros së dytë.
Prej orës 18:45 janë takimet Salzburg - Brest e Stuttgart – Sparta Praga.
Prej orës 21:00, Barcelona llogaritet favorite e madhe ndaj Young Boysit, njëjtë si Interi ndaj Cërvena Zvezdës. Edhe Borussia Dortmundi pret fitore ndaj Celticut, kurse ndeshje interesante do të jetë ajo mes Bayer Leverkusenit dhe Milanit.
Te Manchester City as që e diskutojnë fitoren ndaj Slovan Bratislavës në Sllovaki, ndërsa ndeshja tjetër e së martës mbrëma është mes PSV-së dhe Sportingut. Nëntë ndeshje të tjera janë të mërkurën mbrëma.