Futboll

Arrihet marrëveshja, premtohet Trepçë “e madhe”

KF Trepça

Nëse premtimet realizohen, edicioni i ardhshëm do të jetë i fundit i klubit të futbollit Trepça në Ligën e Parë të Kosovës. Të martën pasdite është arritur një marrëveshje që parasheh investimin e qindra mijëra eurove në klubin mitrovicas, që aktualisht është vetëm i shtati në Grupin A të Ligës së Parë.

“Superliga as që diskutohet, por synimet janë shumë më të mëdha. Paratë nuk do të mungojnë. Do të investohet sa në klubet kryesore të Superligës, nëse jo më shumë”, ka thënë një burim për KOHËN, i afërt me zhvillimet.

Drejtuesit aktualë do të mbesin në klub, por fjalën kryesore do ta ketë një afarist mitrovicas. Menaxhmenti do të përbëhet nga emrat më me nam të futbollit mitrovicas.

“Projekti është shumë serioz. Zhvillimet priten që këtë javë. Edicioni i ardhshëm duhet të jetë tranzitor, drejt Superligës, e më pas synohen gjëra edhe më të mëdha. Trepça do të jetë aty ku e ka vendin, në majën e futbollit kosovar dhe jo vetëm”, ka vazhduar burimi.

I themeluar në vitin 1932, Trepça vlerësohet prej klubeve me traditën më të pasur në Kosovë. Është klubi i parë kosovar që ka luajtur në Ligën e Parë të ish-shtetit federativ. Më vonë këtë e arriti vetëm edhe Prishtina. Është po ashtu klubi i vetëm që ka luajtur në finale të Kupës së Jugosllavisë. Kampione e Kosovës, Trepça ishte në vitin 1993 e po ashtu në vitin 2010. Por më pas u fut në krizë të thellë financiare dhe ka shumë vjet që nuk ka luajtur në Superligë. Në vitet e fundit as që i është afruar elitës.

Rrethanë rënduese për Trepçën ka qenë edhe largimi nga stadiumi “Adem Jashari” që ka nisur të rinovohet shumë vjet më parë. Trepça ende nuk e shfrytëzon stadiumin e saj dhe pritet të jetë jashtë tij edhe për rreth dy vjet. Së fundi ka luajtur ku e si ka mundur, ndërsa nuk kanë munguar edhe kritikat e akuzat nga tifozët për organizimin e zbehtë dhe mungesën e rezultateve.

“Situata në klub do të ndryshojë shpejtë. Trepça sërish do ta ketë peshën e madhe në futbollin e Kosovës”, ka vazhduar burimi i KOHËS.

Tifozët e shumtë të Trepçës së shpejti nuk pritet të mburren vetëm me të kaluarën e lavdishme të klubit, por edhe me rezultatet e tij.

LEXO EDHE: