Futboll

Arlind Ajeti: Kemi mundësi të bëjmë diçka të madhe në Evropian

Arlind Ajeti

Arlind Ajeti është prej pak lojtarëve që për herë të dytë do të paraqitet në Kampionat Evropian me fanellën e Shqipërisë. Në Evropianin 2016, të cilin Shqipëria e mbylli e treta në grup me Francën, Zvicrën dhe Rumaninë, ishin edhe Etrit Berisha, Elseid Hysaj, Amir Abrashi dhe Naser Aliji prej grupit aktual të lojtarëve.

Mbrojtësi i qendrës, Ajeti, thotë se kishte shpresa se do të ishte në mesin e lojtarëve që do ta përfaqësojnë Shqipërinë në Evropianin që mbahet në Gjermani. Por ai dhe lojtarët tjerë e mësuan nëpërmjet televizorit se do të pjesë e Shqipërisë për “Euro 2024”.

Sylvinho vendosi që listën preliminare prej 27 lojtarëve ta publikoj të hënën pasdite nëpërmjet një konference për shtyp. Listën përfundimtare me 26 lojtarë do ta dorëzoj më 7 qershor. Me shumë gjasë, Ajeti do të jetë edhe në listën finale.

“Shpresat gjithmonë kanë qenë që të jem pjesë e listës, por vendimet e trajnerit nuk i kemi ditur deri në momentin e konferencës kur edhe u publikua lista. Kam përjetuar emocion të veçantë kur pashë në listë edhe emrin tim. Gjithmonë është e veçantë kur të thërret kombëtarja”, ka thënë Ajeti për KOHËN të martën.

Ajeti luajti dy ndeshje në “Euro 2016”. Në mungesë të ish-kapitenit të Shqipërisë, Lorik Cana shkaku i suspendimit, Ajeti ishte paraqitur deri në minutën e 85-të përkrah Mërgim Mavrajt në qendër të mbrojtjes në ndeshjen ndaj Francës. Shqipëria e humbi 2:0 atë ndeshje. Luajti edhe në fitoren 1:0 ndaj Rumanisë në ndeshjen e fundit në grup.

“Kam përjetuar njëherë këto emocione dhe do të jetë kënaqësi që sërish do t’i përjetoj. Por kur do t’i afrohemi ndeshjes së parë do t’i ndiejmë emocionet edhe më shumë”, ka theksuar mbrojtësi i qendrës.

Futbollisti i Clujit rumun ka debutuar për kuqezinjtë në vitin 2014. Për Shqipërinë ka luajtur 23 ndeshje, ndërsa ka shënuar një gol.

“Për mua, por edhe për çdo lojtar, sigurisht që është shumë e rëndësishme paraqitja në Evropian. Është ëndërr për çdo lojtar. Është diçka shumë speciale për mua, por edhe për çdo lojtar tjetër. Po besoj që emocionet e vërteta do t’i përjetojmë në momentin kur edhe do të fillojë ngjarja madhore”, është shprehur Ajeti.

Ajeti beson se në Gjermani, Shqipëria do të jetë më e fortë sesa në Francë. Kuqezinjtë janë në grup me Spanjën, Kroacinë dhe Italinë.

Ajeti iniston se Shqipëria nuk do të udhëtojë me flamur të bardhë, përkundër grupit shumë të fortë.

“Mundësitë i kemi edhe pse është grup shumë i vështirë. Besoj se kemi mundësi të bëjmë diçka të madhe Nuk besoj se do ta kemi më të lehtë, por besoj që përkrahja e shqiptarëve do të jetë motiv shumë i madh për ne”, ka deklaruar Ajeti.

Ai ka luajtur disa vjet në Itali për Frosinonen, Torinon, Reggianan, Padovan e Pordenonen. Karrierë ka bërë edhe në Basel e Grasshopper në Zvicër si dhe te Vejle në Danimarkë. Tani po luan me sukses në Rumani.

Shkaku i një lëndimi Ajeti mungoi në dy ndeshjet e fundit kualifikuese për Evropian. Mungoi edhe në dy miqësoret e muajit mars. Por Sylvinho i besoi përvojës së Ajetit në futbollin evropian.