Ylli i dikurshëm i Barcelonës dhe Spanjës, Andres Iniesta, ka vendosur t’i jap fund karrierës në futboll.
40-vjeçari është pa ekip prej se u largua në verë nga Emirates Club i Emirateve të Bashkuara Arabe, pasi i përfundoi kontrata.
Sipas “Relevo”, mesfushori ikonik do ta shpall vendimin javën e ardhshme.
Iniesta, që shënoi golin e fitores për Spanjën në finalen e Kupës së Botës të vitit 2010 ndaj Holandës, postoi një video duke vizatuar në një mural të tij. Dhe shkroi: “Së shpejti. 8, 10, 24”.
Është dita kur pritet të shpall pensionimin nga futbolli. Numri 8 paraqet numrin e fanellës së tij.
Iniesta debutoi në vitin 2002, pasi kaloi akademinë e famshme të Barcelonës, La Masia.

Ai i kaloi 16 vjet të shkëlqyera te Barcelona, duke luajtur në 674 ndeshje dhe duke kontribuuar me 57 gola e 135 asistime.
Iniesta i fitoi 32 trofe me Barcelonën. Vetëm Lionel Messi ka më shumë – 35.
Iniesta e ka fituar katër herë Ligën e Kampionëve, nëntë herë La Ligan, gjashtë herë Kupën e Mbretit dhe tri herë Botërorin e klubeve.
Ai ishte pjesë kyqe e mesfushës më ikonike në histori, që përbëhej edhe nga Sergio Busquets dhe Xavi. Ishte pjesë e ekipit të papërsëritshëm të Barcelonës që fitoi tre trofetë e mëdhenj nën urdhrat e Pep Guardiolas, në vitet 2009 e 2011.
Iniesta kishte suksese të mëdha edhe me Spanjën. Ka luajtur 131 ndeshje dhe ka realizuar 13 gola.
E fitoi Evropianin 2008, Kupën e Botës 2010 dhe Evropianin 2012.
Pasi u largua nga Barcelona në vitin 2018, Iniesta luajti pesë vjet në Japoni te Vissel Kobe. E fitoi titullin e kampionit dhe kupën e Japonisë. Në edicionin e kaluar në Emiratet e Bashkuara Arabe i shënoi pesë gola në 20 paraqitje.