Ish-mesfushori gjerman, Toni Kroos, do të jetë mungesë shumë e madhe për skuadrën e Real Madridit. Kështu ka deklaruar të shtunën në konferencë për shtyp trajneri i “Los Blancos”, Carlo Ancelotti. 65-vjeçari ndër të tjera ka theksuar se Kroosi nuk mund të zëvendësohet nga asnjë futbollist.
“Kroosi do të na mungojë gjithmonë, ai ishte lojtar i veçantë. Të kërkosh një tjetër është e pamundur por duhet të përshtatemi. Ne mendojmë për realitetin, veçanërisht lojtarët, ata janë që do të luajnë ndeshjet. Dhe ata e dinë kur është e vështirë të fitosh. Një ndeshje kërkon cilësi, sakrificë. Natyrisht ne nuk mund të mendojmë se çfarë do të ndodhë në muajin maj. Ne duhet të punojmë çdo ditë për ta fituar çdo ndeshje”, ka thënë Ancelotti.
Italiani u shpreh se nuk do të ketë transferime të reja në këtë verë.
“Skuadra është e kompletuar. Duhet të presim derisa të mbyllet afati kalimtar i verës. Ne mendojmë se Alaba do të kthehet në gjendje të mirë fizike. Ne kemi lojtarë të rinj që mund të luajnë. Kemi qenë të pafat me dëmtimin e Joanit. Gjithashtu Asensio dhe Jacobo mund të kontribuojnë shumë për skuadrën”, deklaroi 65-vjeçari.