Sulmuesi francez, Kylian Mbappe, ka pasur një tjetër natë jo të suksesshme me Real Madridin të mërkurën, pasi nuk arriti të realizonte ndaj Liverpoolit në xhiron e pestë të Ligës së Kampionëve.
Mbappe madje nuk realizoi as nga penalltia, ndërsa Liverpooli fitoi me rezultatin 2:0 në “Anfield”.
Fituesi i Kupës së Botës me Francën e ka realizuar vetëm një gol në pesë paraqitje për gjigantin spanjoll në Ligën e Kampionëve.
Në të gjitha garat, Mbappe e ka vetëm një gol të shënuar në gjashtë ndeshjet e fundit.
Por në mbrojtje të tij pas ndeshjes me Liverpoolin ka dalë trajneri Carlo Ancelotti. Tekniku italian ka thënë se Mbappe ka nevojë për përkrahje.
“Është moment i vështirë për të, por duhet ta përkrahim dhe t’i dhurojmë dashurinë tonë. Ai shpejtë do të jetë në formën më të mirë. Mund të ketë edhe mungesë vetëbesimi. Por, lojtarët kalojnë nëpër momente të tilla. Lojtarët humbin penallti dhe kjo ndodh shpesh. Nuk mund të ndalesh për shkak të këtyre momenteve. Ai punon fort dhe lufton shumë. Ai është lojtar i jashtëzakonshëm”, ka thënë Ancelotti.
Real Madridi është në vendin e 24-t nga liga me 36 skuadra në “Champions”.