Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, ka përmbledhur përshtypjet e tij pas eliminimit në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
Në “Santiago Bernabeu”, Reali nuk arriti ta përmbysë avantazhin prej tri golave ndaj Arsenalit nga ndeshja e parë dhe skuadra e Mikel Artetas fitoi edhe në Madrid 2:1 të mërkurën dhe kaloi në gjysmëfinale me rezultatin e përgjithshëm 5:1.
“Ekipi u përpoq, por ne nuk arritëm të bënim një kthesë. Arsenali kaloi me meritë. Ka dy anë të futbollit. Lumturia, të cilën e kemi shijuar vitet e fundit dhe trishtimi, të cilën po e përjetojmë tani”, ka thënë Ancelotti pas ndeshjes.
Një nga pyetjet për teknikun italian ishte e ardhmja e tij.
“Ne jemi ende në lojë për të fituar La Ligën, Kupën e Mbretit dhe Kupën e Botës për Klube. Nuk mund të flas tani nëse do ta drejtoj Realin në Kupën e Botës. Nëse klubi vendos të më zëvendësojë, nuk ka asnjë problem. Unë do ta falënderoj. Nuk e di dhe nuk dua ta di”, u shpreh Ancelotti.