Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, është duke e menduar finalen e Ligës së Kampionëve kundër Borussia Dortmundit.
Ai të mërkurën ka dhënë deklaratë të fortë, duke theksuar se fitorja 5:0 ndaj Alavesit në La Liga, ka qenë vetëm ngrohje për finalen në “Wembley”.
Reali e fitoi titullin e 36-të në La Liga dhe është në finale të Championsit pasi e eliminoi Bayern Munichun.
Por, kulmin e formës, Ancelotti nga lojtarët e vet e pret në finalen e Ligës së Kampionëve.
“Këto ndeshje janë të rëndësishme për ta ruajtur ritmin, dinamikën, motivimin dhe lojën e mirë. Kanë mbetur edhe dy javë. Kemi disa ditë pushim dhe javën tjetër do të punojmë në aspektin fizik. Në javën e dytë do të bëjmë punë taktike. Për mua si trajner, është sezoni më i mirë. Ekipi ka qenë fantastik dhe e kemi merituar ta fitojmë La Ligan. Por, duhet të vazhdojmë sepse ende nuk e kemi luajtur ndeshjen më të rëndësishme”, ka thënë Ancelotti në një konferencë për shtyp të mërkurën.
Reali është i pamposhtur që nga muaji janar në të gjitha garat.
Ka fituar 93 pikë nga 36 ndeshje të elitës spanjolle.