Futboll

Ancelotti e Simeone, optimistë për ndeshjen e kthimit

Real - Atletico

Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, ishte i kënaqur me qëndrueshmërinë e skuadrës së tij, pas fitores 2:1 ndaj Atletico Madridit në ndeshjen e parë të një të tetës së finales në Ligën e Kampionëve. Ndeshja u zhvillua të martën mbrëma në “Bernabeu”, ndërsa skuadra e Ancelottit mori fitore të vështirë, por të vlefshme.

Brahim Diaz e shënoi golin e fitores në pjesën e dytë. Në pjesën e parë shënuan Rodrygo i Real Madridit dhe Julian Alvarez i Atletico Madridit.

Vinicius Junior dhe Kylian Mbappe humbën shanse të mira për t’ua siguruar “mbretërve” fitoren më të thellë para ndeshjes së kthimit në “Metropolitano”, të mërkurën e ardhshme.

Ancelotti nuk ishte në disponim që të flasë për rastet e humbura. Ai ka folur për gjërat pozitive, përkatësisht për fitoren ndaj njërës prej skuadrave më të mira në Evropë këtë edicion. Tekniku italian ka theksuar se lojtarët e tij duhet të bëjnë përpjekje edhe më të mëdha për të kaluar në çerekfinale.

“Këto janë ndeshje të barabarta. Është një e teta e finales në Champions, por do të mund të ishte finale apo gjysmëfinale. Atletico është top-skuadër në Evropë dhe ju nuk mund të mendoni që ta përfundoni sfidën në ndeshjen e parë”, ka thënë Ancelotti në konferencë për shtyp.

“Kemi krijuar avantazh të lehtë që na jep besim për ndeshjen e dytë, por kjo është e tëra. Ishte ndeshje e vështirë, si zakonisht. Është gjithnjë e tillë ndaj Atleticos. Në pjesën e parë e kemi humbur topin shpesh, kishim gabime të panevojshme që kanë mundur të na kushtojnë. Në pjesën e dytë ishim më të mirë. Ishim në gjendje të kalonim në epërsi dhe e bëmë këtë”, ka shtuar Ancelotti.

Ai ka thënë se nuk është e lehtë të luhet kundër mbrojtjes së Atleticos. Sipas tij, Kylian Mbappe e Vinicius kanë punuar shumë, ndonëse skuadra nuk krijoi shumë raste shënimi.

“Ata nuk kanë pasur rastin të tregojnë kualitetin që të gjithë ne e dimë që e kanë, por e kanë ndeshjen e kthimit për ta bërë këtë”.

Ndërkohë trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone, ka shprehur keqardhje që skuadra e tij nuk ka kapitalizuar kontrollin në lojë që e kishte për periudhë të gjatë. Ai është i kënaqur se si skuadra reagoi pas golit të hershëm të Realit. Argjentinasi është optimist se Atletico mund ta përmbysë rezultatin në ndeshjen e kthimit.

“Është dashur të përfitojmë më shumë kur e kishim kontrollin e lojës. Është e vështirë të rrezikosh në atë mënyrë që me çdo kundërsulm përfundoni duke humbur ndeshjen. Ne e kontrolluam atë situatë shumë mirë, por na mungonte diçka në metrat e fundit”, ka thënë Simeone.

Ai pret përkrahje të madhe nga tribunat në ndeshjen e kthimit. Ka përmendur edhe rastin e fundit kur Mbappe nuk e gjeti me kohë në zonë Viniciusin.

“Ndoshta ai moment hap dyert për atë që do të vijë”, ka thënë Simeone.