Trupi qeverisës i Konfederatës së Futbollit të Amerikës së Jugut (CONMEBOL), ka bërë propozim që Kupa e Botës 2030 të rritet në 64 përfaqësuese.
Turneu do të organizohet në Spanjë, Marok dhe Portugali, pasi ndeshjet hapëse të mbahen në Argjentinë, Paraguai dhe Uruguai.
Kupa e Botës 2026 do të jetë e para me 48 ekipe, por CONMEBOL dëshiron që në 100 vjetorin e Botërorit, në vitin 2030, numri i përfaqësueseve të jetë dukshëm më i madh.
“Kjo do t’i lejonte shtetet ta kenë mundësinë ta përjetojnë ngjarjen globale dhe askush të mos mbetej jashtë festës”, ka thënë presidenti i CONMEBOL-it, Alejandro Dominguez, në kongresin e mbajtur të enjten.
Nëse do të pranohej ky format, do të zhvilloheshin 128 ndeshje në total.
Kupa e Botës 2030 do të mbahet në tri kontinente për herë të parë.