Mbrojtësi i Liverpoolit dhe i Anglisë, Trent Alexander-Arnold, ka thënë se dëshiron të bëhet mbrojtësi i parë i krahut të djathtë që e fiton “Topin e Artë”.
Ai ka theksuar se synon që të kujtohet si “mbrojtësi më i mirë i kësaj pozite që ka luajtur ndonjëherë futboll”.
Asnjë mbrojtës i krahut në botë nuk e ka fituar këtë çmim prestigjioz, që jepet prej vitit 1956.
“Mendoj se mundem ta fitoj çmimin. Dua të bëhem mbrojtësi i parë i krahut që e arrin një sukses të tillë”, ka thënë ndër të tjera mbrojtësi i Liverpoolit në një intervistë dhënë për “Sky Sports”.
Legjenda e Real Madridit, Roberto Carlos, që luajti si mbrojtës i majtë, u zgjodh i dyti në vitin 2002, pas Ronaldos.
Në atë vit, Brazili e kishte fituar Kupën e Botës.
26-vjeçari Alexander-Arnold e ka fituar Premier Leaguen, Ligën e Kampionëve, Kupën FA dhe Kupën Carabao me Liverpoolin, ndërsa ka mbi 300 paraqitje.