Futboll

Albian Hajdari për KOHËN: Po e realizoj ëndrrën

Albian Hajdari

Në fytyrën e Albian Hajdarit të dielën nuk kishte shenja gëzimi. E pritur. Ai me Luganon humbi finalen e Kupës së Zvicrës.

Por Hajdarit shpejtë do t’i kthehet buzëqeshja.

Ai me Uran Bislimin dhe Renato Steffenin, bashkëlojtarët te Lugano, do t’i bashkohen Zvicrës në kampion përgatitor për “Euro 2024”.

Hajdari 21-vjeçar tregon për KOHËN se çfarë i kishte thënë selektori Murat Yakin para se ta publikonte listën e zgjeruar të Zvicrës për Evropian. 

“Më thirri selektori Murat Yakin në telefon. Të them të drejtën, në fillim nuk e kam dëgjuar fare telefonatën, pastaj e kam kontaktuar në mbrëmje. Më pas më dha lajmin se pas Kupës e kam mundësinë për t’iu bashkuar grupit për të stërvitur në kampin përgatitor. Më ka ardhur shumë mirë sepse kam qenë krenar me veten që më ka konfirmuar se sezoni ka qenë shumë i mirë. Për atë arsye kam qenë edhe më shumë krenar. Ftesa për në Kampionat Evropian, nuk besoj se ka diçka më të mirë”, ka thënë Hajdari.

Mbrojtësi i qendrës thotë se natën kur kishte kontaktuar me Yakinin, nuk kishte fjetur mirë. Ai thotë se kishte besuar se një ditë do të vinte ky moment.

“Unë kam shkuar të luajë për përfaqësuesen e Zvicrës vit për viti dhe kam dashur të arrijë gjithmonë e më shumë. Dikur vjen momenti që dëshiron të luash edhe për përfaqësuesen më të lartë. Por që vjen kaq shpejtë nuk do ta besoja, të them të drejtën. Por, më ka gëzuar shumë”, ka shtuar Hajdari.

Ai ka kaluar të gjitha grupmoshat e Zvicrës. Ka luajtur për U15, U16, U17, U19 dhe U21 të helvetikëve.

Zvicra të hënën e zhvillon stërvitjen e fundit para ndeshjes miqësore ndaj Estonisë. Më 8 qershor e luan ndeshjen e fundit para Evropianit “Gjermania 2024”. Një ditë para miqësores ndaj Austrisë, Yakin do ta dorëzojë listën finale me 26 lojtarë. Dhe, Hajdari ka besim se do të jetë pjesë e listës.

“I kam disa mendime të mia. Besoj në disa gjëra. Por ato i mbaj për vete sepse më 7 qershor vendoset. Vendos selektori Murat Yakin. Do të ulet e do të flas me mua, pastaj do të shohim se si do të jetë fundi, a do të më marrë me vete në Gjermani apo jo. Për këtë nuk po i bëj presion vetes sepse mund të dështojë në fund, po e la hapur dhe do ta pranoja edhe nëse nuk do të më merrte me vete. Por, po të më marrin me vete në Gjermani, ajo do të më gëzonte shumë, normal”, ka thënë Hajdari, i cili e festoi ditëlindjen e 21-të një ditë pasi u publikua lista e Zvicrës.

“Do të ishte shumë e veçantë sepse fillimisht Kampionatet Evropiane apo Botërore mbahen çdo katër vjet. Askush nuk mund të më garantojë se jam i shëndoshë dhe mund ta pres këtë kampionat. Sigurisht kjo më gëzon, më bën krenar, sepse kur kam qenë më i ri, unë dhe shokët e mi i kemi shikuar këto ndeshje së bashku, në televizion apo i kemi blerë ato kartat apo fotot me libër të lojtarëve, për t’i ngjitur. Është shumë speciale për mua nëse bëhet për të shkuar me Zvicrën në Gjermani, në Evropian”.

Ai tregon për marrëdhëniet që ka me disa nga lojtarët e Zvicrës, në veçanti me yllin Xherdan Shaqiri. Thotë se do të mësojë shumë gjatë grumbullimit, nga Shaqiri dhe yjet e tjera.

Hajdari u lind në Binningen të Zvicrës, ndërsa rrënjët i ka nga Kamenica. Thotë se ka lidhje të fortë me Kosovën. Tregon se një pjesë të pushimeve i kalon në Kosovë.

“Tash varet si do të jetë situata me Zvicrën. Po të përfundohet më datën 7, mund të shkoj në pushim menjëherë. Përndryshe, varet kur do të përfundojnë ndeshjet e Kampionatit”.

Ai me Luganon ka kontratë deri në qershor të vitit 2027. Është ndër më të dalluarit te skuadra elitare e Zvicrës, për të cilën ka luajtur 44 ndeshje në të gjitha garat. Hajdari shpejtë mund ta bëjë hapin tjetër të madh në karrierë. Por ai nuk mendon për interesimin e skuadrave. Thotë se ka kohë për të menduar rreth ofertave. Tani thotë se do të bëj gjithçka për ta bindur Yakinin ta marrë në Gjermani.

“Kjo është si lloj ëndrre në realitet. Nuk ka gjë më të mirë, gëzimi është shumë i madh. Tani duhet ta mbaj veten, siç themi ne ‘ta mbajmë hundën poshtë, mos ta ngremë mendjen lartë’. Duhet ta japim 100%, ta nxjerrim maksimumin nga vetja dhe pastaj do ta shohim se çfarë do të jetë rezultati”, ka thënë Hajdari.

Hajdari thotë se ende nuk mund të besoj se do të jetë një prej kandidatëve te Zvicra për Evropian.

“Kur të jesh i vogël, i ke këto ëndrra. A bëhet ndonjëherë e vërtetë? Dikur dëshiron t’ia plotësosh këtë dëshirë vetes por a bëhet e vërtetë, është e vështirë, sepse futbollit nuk i dihet asnjëherë. Nuk i dihet a ke ndonjë lëndim apo diçka të keqe. Për këtë arsye, ka qenë ëndërr. Deri sa të bëhet e realizueshme është e vështirë për të qenë pjesë e Evropianit apo të jesh i grumbulluar me Zvicrën. Është shumë speciale dhe është e vështirë ta shpjegosh. Ende unë vetë nuk po arrij ta marrë si të vërtetë. Ka qenë e papritur”, ka thënë Hajdari.

Krahas Hajdarit pjesë e listës preliminare të  Zvicrës janë edhe Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri, Uran Bislimi, Ardon Jashari dhe Andi Zeqiri.