Futboll

Ademi shënon gol ndaj kampionit polak

Arijan Ademi

Arijan Ademi ka shënuar gol ndaj kampionit në fuqi të futbollit polak, Jagiellonias, në ndeshjen e fundit përgatitore të stinorit pranveror për skuadrën e madhe kroate, Dinamo Zagreb. 

Dinamo dhe Jagiellonia barazuan të mërkurën 1:1 në Turqi. 

Jagiellonia kaloi e para në epërsi 1:0 me golin e Tomas Silvas. 

Por ishte goli i mesfushorit Ademi gjashtë minuta më vonë, që e vendosi rezultatin përfundimtar të këtij ballafaqimi. 

Skuadra kroate e drejtuar nga trajneri Fabio Cannavaro, barazoi 2:2 dhe e mposhti 3:1 Lech Poznanin në dy miqësoret e para.

Me këtë ndeshje, Dinamo Zagrebi e ka përfunduar fazën përgatitore ndërsa do të luajë kundër Arsenalit në “Emirates”, në xhiron e shtatë të fazës së ligës në Ligën e Kampionëve më 22 janar. 

Pjesa e dytë e kampionatit në Kroaci nis më 25 janar.