Futboll

Abrashi flet për lidhjen e veçantë me Grasshopperin

Amir Abrashi

Kur përmendet Grasshopperi, menjëherë të kujtohet Amir Abrashi. Kapiteni përfaqëson klubin kudo që shkon dhe nuk e humb mundësinë asnjëherë për ta shprehur dashurinë që ka ndaj klubit. Lidhja e Abrashit me Grasshopperin lidhet me fëmijërinë e tij. E kishte parë një ndeshje nga tribunat një herë dhe aty lindi lidhja e veçantë. “Aty nisi lidhja ime me klubin. Grasshopperi ishte superfuqi në futbollin zviceran në atë kohë dhe ishte ëndërr për mua të luaja aty”, ka deklaruar Abrashi, shkruan “Srf.ch” të shtunën.

Ëndrra u bë e vërtetë. Në verën e vitit 2010, ai u transferua nga Ëinterthuri te Grasshopperi, ekip për të cilin debutoi më 17 korrik 2010, kundër Xamaxit në Superligë. Në vitin 2015, ai u transferua në Gjermani te Freiburgu, dhe e siguroi Bundesligën në vitin 2016. Në janar të vitit 2021, u huazua te Baseli deri në fundin e edicionit dhe më pas u kthye te Grasshopperi. “Më pëlqeu edhe te Freiburgu, por lidhja me Grasshopperin është krejtësisht ndryshe”, thotë Abrashi. Për këtë arsye ai vuan kur gjërat nuk shkojnë mirë në skuadër. Më pas është e vështirë të ndalet.

Ka pasur dhe vazhdon të ketë vuajtje për Abrashin. Në edicionin 2020/2021, Grasshopperi e zuri vendin e parë në kategorinë e dytë të futbollit të Zvicrës, me vetëm një pikë më shumë se Thuni.

Pikërisht ndaj Thunit kishte fituar në barazh në vitin e kaluar 2:1 në ndeshjen kthyese, me gol të minutës së 91-të.

Edhe në edicionin aktual, Grasshopperi po lufton për mbijetesë.

Qëkur Tomas Oral e mori drejtimin e Grasshopperit nga i larguari Marco Schallibaum, gjërat kanë nisur të përmirësohen. Por, cili është dallimi tani? “Ne po bashkohemi gjithnjë e më shumë”, thotë Abrashi. “Orali është i vështirë. Nga fillimi, ai na ka bërë me dije se ne duhet të jemi të bashkuar”.

Derisa në vitin e kaluar secili lojtar ka ngërën çfarë ka dashur pas stërvitjeve, lojtarët tani hanë së bashku. Ekipi shkon në qendrën stërvitore së bashku. Dhe kjo bën që ata të kenë më shumë biseda mes vete. Kjo është shumë e rëndësishme thotë Abrashi.

“Përndryshe, secili do të ishte i vetmuar dhe do ta shikonte telefonin e vet”.

Abrashi dëshiron që të ketë ngritje edhe më shumë deri në fund të edicionit.

“Nën drejtimin e Oralit, të gjithë ndihemi të rëndësishëm. Ekipi punon fort, pavarësisht se kush luan. Lojtarët po japin gjithçka dhe jemi në formë të mirë fizike. Stërvitjet janë të vështira, por janë të mira. Jemi të lumtur që kthehemi sërish në kampin stërvitor”, thotë Abrashi.

Pavarësisht gjitha lëvdatave, Abrashi po ashtu paralajmëron të gjithë.

“Ne nuk kemi arritur ende asgjë. Duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë”, thotë Abrashi.