Grasshopperi është në krizë të thellë.
Të enjten mbrëma u mposht 3:0 në udhëtim nga Young Boysi, në kuadër të Superligës së Zvicrës.
Ishte humbja e katërt në gjashtë ndeshjet e fundit dhe Grasshopperi tani po lufton për mbetje në elitën e futbollit zviceran.
Grasshopperi është në vendin e parafundit me 30 pikë, shtatë më shumë se Lausanne-Ouchy i fundit.
Në gjashtë ndeshjet e fundit, Grasshopperi ka shënuar vetëm dy gola, ndërsa në pjesën e dytë të kampionatit ka vetëm gjashtë gola gjithsej.
Statistika të përafërta Grasshopperi kishte edhe në edicionin 2018/19, kur ra nga Superliga e Zvicrës.
Kapiteni Amir Abrashi pas ndeshjes mblodhi ekipin dhe ka pasur edhe bisedë të gjatë me tifozët pas disfatës së thellë.
“Nuk kemi nevojë të flasim gjëra të këqija tani. Mënyra se si pranuam golat ishte shumë e lehtë. Por ne nuk jemi të vdekur, nuk jemi të thyer. Është situatë e vështirë”, ka thënë Abrashi pas ndeshjes.
“Ka edhe tetë ndeshje deri në fund dhe duhet të dalim nga kjo situatë. Duhet të kemi energji pozitive dhe të mos ndahemi në dysh. Është fazë e vështirë për Grasshopperin”, ka thënë Abrashi.