Futboll

A është City skuadra më e madhe angleze?

Manchester City

 (AP) –Shifrat flasin vetë. Titulli i katërt rresht në Premier League për Manchester Cityn. I gjashti në shtatë edicione konfirmon edhe më shumë dominimin e këtij klubi.

Për trajnerin Pep Guardiola është trofeu i 17-të me Cityn në tetë vjet qëndrimi në krye të klubit. Dhe shifra mund të rritet në 18, nëse City e mposht Manchester Unitedin javën e ardhshme në finale të Kupës FA. Është një set i trofeve madhorë në këtë periudhë, pos triumfit në Ligën e Kampionëve për herë të parë në sezonin e kaluar.

Titullin e edicionit 2023/2024, City e siguroi të dielën, në mbyllje të edicionit në Premier League.

Përveç Liverpoolit në vitin 2020, asnjë skuadër tjetër në elitën angleze nuk i është afruar Cityt, qëkur Guardiola e nisi ecurinë e fitimit të trofeve në vitin 2018, kur e ngriti lartë trofeun e kampionit.

Guardiola kishte fituar tashmë dy tituj rresht, në vitin 2018 dhe 2019 me totalin e 100 dhe 98 pikëve, para se kjo seri të përfundohej nga Liverpooli. Në vitin 2021, City e fitoi sërish titullin e Anglisë dhe që nga ajo kohë ka qenë forcë dominuese në  ishull dhe u bë skuadra e parë angleze që fiton katër tituj rresht në elitë.

Madhështia e Cityt u shfaq edhe në sezonin e kaluar kur u fitua tripleta: Premier League, Liga e Kampionëve dhe Kupa FA. Kjo skuadër e ka fituar tri herë Kupën e Ligës përgjatë këtyre viteve të suksesshme, ndërsa arriti edhe në finale të Ligës së Kampionëve në vitin 2021.

Ekipi më i mirë anglez i gjitha kohëve? Pa dyshim.

City mund të dominojë në vitet e ardhshme në debatin se a është ekipi më i mirë në Angli.

Liverpool (1982-84)

Liverpooli e fitoi tri herë rresht elitën angleze, 1982-84 – një periudhë në të cilën triumfoi në Kupën Evropiane dhe në tri Kupa të Ligës.

Por kjo ishte vetëm njëra prej periudhave të suksesshme gjatë viteve 1973-90 dhe në të cilën i fitoi 11 tituj të ligës dhe katër herë Kupën Evropiane, krahas të tjerë titujve madhorë.

Dominimi me disa trajnerë filloi me Bill Shanklyn dhe përfundoi me Kenny Dalglish, por vetëm një herë u arrit “hat-trick” i titujve.

Dy të parët u fituan me trajnerin Bob Paisley dhe i treti u fitua nga Joe Fagan, i cili po ashtu e udhëhoqi ekipin drejt triumfit në Kupën Evropiane dhe Kupën e Ligës në atë edicion.

Në vitin 1985, Liverpooli u mposht në garën për titull nga rivali i “Merseyside”, Evertoni, por menjëherë në edicionin tjetër, e rifitoi titullin dhe po ashtu edhe Kupën FA.

Manchester United (1999-2001)

Në kohën kur Alex Ferguson fitoi “hat-trick” të titujve me Unitedin prej vitit 1999-2001, ai dy herë më herët i ishte afruar këtij suksesi.

Në vitin 1995, dy herë rresht kampioni Unitedi, ishte një pikë prapa fituesit Blackburnit.

Pasi e rifitoi titullin në vitin 1996 dhe e mbrojti atë në vitin 1997, Unitedi ishte një pikë prapa fituesit, Arsenalit, në vitin 1998.

Në vitin 1999, Unitedi jo vetëm që e fitoi titullin sërish, por e fitoi tripletën. Përveç Premier Leagues, e fitoi edhe Ligën e Kampionëve dhe Kupën FA.

Manchester United (2007-2009)

Pas tre vjetësh pa titull, ekipi i Unitedit u rindërtua dhe nisi tjetër periudhë dominimi, i frymëzuar nga Cristiano Ronaldo dhe Wayne Rooney.

Fitoi “hat-trick” të titujve nga viti 2007-2009, dhe ngriti lart tjetër trofe të Ligës së Kampionëve në vitin 2008. Unitedi arriti në finale të Ligës së Kampionëve në vitin 2009 dhe sërish në vitin 2011.

Në këtë periudhë përfshihet edhe Kupa e Ligës në vitin 2009.

Seria e fitimeve të titujve u ndërpre nga Chelsea në vitin 2010, kur Unitedi ishte vetëm një pikë prapa liderit, edhe një herë tjetër.

Suksese që duhen përmendur

Arsenali është i vetmi ekip në Premier League që e ka përfunduar sezonin pa humbje, në edicionin 2003-2004 – dhe lojtarët e morën titullin “të pamposhturit”.

Prestoni ishte ekipi i parë në elitën e futbollit anglez që e ka mbyllur gjithë edicionin si i pamposhtur. U bë skuadra e parë që e fitoi ligën dhe Kupën FA në edicionin 1888-1889.

Huddersfieldi (1924-1926) dhe Arsenali (1933-1935) patën periudha dominimi dhe secila fitoi “hat-trick” me tituj në periudhën para Kupës Evropiane, kur ka qenë e vështirë të gjykohen skuadrat në krahasim me rivalët përreth Evropës.